Maqedonia është njëra ndër shtyllat kryesore të strategjisë evropiane të Gjermanisë, kompanitë gjermane dëshirojnë të vijnë këtu, por duhet të investohet në arsim që të sigurohet kuadër i kualifikuar i mjaftueshëm, tha drejtori i Departamentit për zgjerim të BE-së në Ministrinë gjermane të Ekonomisë, Helge Tolksdorf në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Tolksdorf dhe zëvendëskryeministri Koço Angjushev bënë të ditur se është formuar Komiteti drejtues për bashkëpunim Maqedoni-Gjermani qëllimi i të cilit është avancimi i tregtisë dhe tejkalimi i të gjitha barrierave burokratike për shkëmbim më të madh dhe më intensiv.
“Rritja e bashkëpunimit industrial, më shumë prodhime të Maqedonisë në tregun gjerman dhe më shumë know-how, teknologji dhe investues gjermanë në Maqedoni, do të jetë prioritet e Komitetit”, theksoi Angjushev, duke theksuar se në suaza të aktiviteteve janë paraparë edhe projekte infrastrukturore.
Siç përmendi zëvendëskryeministri, arsimi gjithsesi do të jetë në fokus duke marrë parasysh se përvoja praktike dhe kuadri i kualifikuar janë një ndër dobësitë kyçe të Maqedonisë.
“Formimin e Komitetit e ndjej si mbështetje të fuqishme me të cilën do të tentojmë ta nxjerrim rezultatin maksimal”, nënvizoi Angjushev dhe plotësoi se Gjermania për momentin është partneri më i madh tregtar i Maqedonisë.
Deri më tani Gjermania ka formuar katër komitet të tilla në rajon me qëllim, siç tha Tolksdorf, ndërlidhje e bizneseve dhe institucioneve për bashkëpunim më të madh ekonomik.