Shkup, 25 korrik – Qeveria e Republikës së Maqedonisë formoi trup koordinues i cili në nivel ditor do ta ndjekë gjendjen dhe do të koordinojë ndihmë adekuate humanitare, që do të dakordohet si nevojë me institucionet kompetente në Greqi dhe me qytetin e Athinës, informoi në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski.
Qeveria në mbledhjen e sotme të 81-të solli vendim që t’i dërgojë ndihmë financiare në shumë prej gjashtë milionë denarëve Qeverisë së Republikës së Greqisë për përballje me zjarret katastrofale që këto ditë e kapluan rrethinën e Athinës.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, zëdhënësi qeveritar tha se gjashtë milionë denarët ndihmë për Greqinë janë nga Buxheti i RM-së.
Boshnjakovski theksoi se Qeveria e dënon çdo gjuhë të urrejtjes të shprehur në rrjetet sociale lidhur me ngjarjet në Athinë.
“Shprehim keqardhje dhe themi që gjuha e urrejtjes, ksenofobia, format e dhunës dhe fashizmi janë absolutisht të papranueshme për Maqedoninë si vend modern demokratik në rrugën drejt përmbushjes së qëllimeve të saja strategjike – anëtarësimi në BE dhe në NATO”, tha Boshnjakovski.
Ai shtoi se Maqedonia si shtet ka mekanizëm se si të luftojë kundër gjuhës së urrjetjes, por kjo, siç theksoi, është gjithashtu obligim i të gjitha shoqatave profesionale të gazetarisë.
“Duhet të gjithë së bashku t’i ruajmë standardet etike të sjelljes në suaza të mediumeve”, tha Boshnjakovski.