Moskë, 29 dhjetor – Presidenti rus, Vlladimir Putin sot konfirmoi se është arritur marrëveshje për ndërprerje të zjarrit në Siri, garantues të së cilës do të jenë Rusia dhe Turqia. “Para disa orësh arritën lajme se zhvillimi i ngjarjeve po bëhet në drejtimin që e dëshirojmë. Janë nënshkruar tre dokumente. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë siriane dhe opozitës së armatosur është e para. Pakoja e masave për kontroll të ndërprerjes së zjarrit është e dyta. E treta është deklarata për gatishmëri të qasjes drejt negociatave paqësore”, deklaroi Putin në takimin me ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Rusisë, Sergej Llavrov dhe Sergej Shojgu. Siç lajmëroi TASS, sipas Putin, me këto marrëveshje edhe autoritetet në Damask edhe kryengritësit treguan gatishmëri për fillim të negociatave për përfundim të konfliktit në Siri. Putin shtoi edhe se marrëveshjet e arritura janë shumë të brishta, kështu që nevojiten kujdes dhe durim. Pas takimit, ministri Shojgu kumtoi se ndërprerja e zjarrit në Siri do të hyjë në fuqi në mesnatën e 30 dhjetorit. Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushogllu që dje kumtoi se përfaqësues qeveritar të Rusisë dhe Moskës kanë arritur pajtueshmëri për përmbajten e dy marrëveshjeve për Sirinë, por nuk zbardhi më tepër hollësi. “Njëra prej tyre ka të bëjë me zgjidhjen politike të konfliktit sirian, ndërsa tjetra me ndërprerjen e zjarrit. Marrëveshjet mund të hyjnë në fuqi në çdo moment”, theksoi ministri turk. Ai konfirmoi se Ankaraja dëshiron ndërprerje të përhershme të zjarrit në tërë Sirinë dhe tranzicion politik përmes negociatave. Çavushogllu gjithashtu potencoi se paqja në vend, që do të përfshinte edhe mbetjen e Asadit në pushtet, është e pamundur, sepse opozita nuk mund ta pranojë këtë. Nga ana tjetër, megjithatë Moska mbetet në qëndrimin se Asadi duhet të jetë pjesë e procesit të tranzicionit në Siri. Mediumet turke lajmëruan se plani për armëpushim gjithëpërfshirës në Siri duhet të vlejë për të gjitha rajonet në vend ku po zhvillohen luftime ndërmjet forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura të opozitës, por jo edhe për përplasjet me “organizatat terroriste” si grupi Shteti islamik.