Ai sjell gjithmonë këngë të bukura, sidomos shquhet për bashkëpunimet me këngëtare femra. Ervin Bushati, këngëtari i dashur i publikut shqiptarë, sjellë një bashkëpunim të ri, të freskët në këtë verë të nxehtë, një remake të këngës së vjetër “Dadusha” në duet me Xhoin. Këto e shumë gjëra të tjera ai i rrëfen për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ervin, vjen në një bashkëpunim me Xhoin në një remake të këngës aq të bukur “Dadush” i bërë tashmë trend në muzikë, pse zgjodhët pikërisht këtë këngë?
Është një këngë që unë e kam dëgjuar e kënduar shumë herët dhe në një diskutim me një mikun tim DJ thashë pse jo t’a sjell në një variant te ri sepse është mirë që kjo këngë të vije dhe me parametra dhe me orkestrim me bashkëkohor gjej rastin të falënderoj dhe orkestruesin Gramoz Kozeli!
KOHA: Ti ke goxha bashkëpunime me këngëtare femra, pse zgjodhe Xhoin këtë herë apo zgjodhët njëri-tjetrin?
Është e vërtet që kam disa bashkëpunime dhe mendoj që kur janë të menduara mirë dhe vijnë natyrshëm rezultojnë dhe të suksesshëm, Me Xhoin jemi kolegë e miq prej vitesh, performojmë në shumë party si në Shqipëri por edhe jashtë bashkë, kështu që dhe bashkëpunimi me këtë duet erdhi natyrshëm dhe pasi ia sugjerova iu futem punës në studio!
KOHA: Jeni të kënaqur nga impakti që pati në publik?
Absolutisht që po! Pati një reagim të menjëhershëm pasi mendoj që ky remake në të gjithë komponentët e tij u realizua ashtu siç ne donim. Kënga edhe pse e vjetër në kohë është e freskët, me ritme vere dhe e kërcyshme…!
KOHA: E bashkëpunimi tjetër do jetë me…këngëtare femër besoj apo ndryshim programi?
Besoj që kënga e radhës do jetë solo!
KOHA: Është një strategji për të qëndruar gjithmonë në treg kjo puna e bashkëpunimeve? Ka funksionuar kjo gjë me ty?
Duke iu referuar të kaluarës pothuajse në të gjitha raste bashkëpunimet që kam pasur kryesisht me këngëtare femra kanë rezultuar të suksesshme që nga Irini Qirjako vite më parë, deri tek ai i para dy viteve me Blerina Brakën..!
KOHA: A është kthyer në problem kjo mbirja e këngëtarëve si kërpudha pas shiut apo një këngëtar i mirë nuk ndjen konkurrencë?
Mendoj që secili ka të drejtën e tij të provojë, pastaj është koha ajo që i selekton, mendoj që një këngëtar i mirë e ka publikun e tij!
KOHA: E ndjeve mbështetjen e miqve të tu këngëtare në publikimin e këtij klipi apo kishte edhe skeptikë (ziliqarë) që as këngën nuk e publikuan?
Ai rrethi i ngushtë i kolegëve që unë bashkëpunoj e shkëmbejmë mendime dhe ide normalisht që kanë reaguar pjesa tjetër nuk është se më intereson shumë.
KOHA: Kënga jote që i ka rezistuar gjithçkaje në sytë dhe mendjen e publikut është…
Ka disa këngë që kane ngelë në memorien e publikut si në kohën kur isha me Grupin Mister e deri tani që po flasim, por këngën “Jepma mollën” m’a kërkojnë akoma për ta interpretuar në netët live.
KOHA: Këngëtarët përfliten si më të pasurit. Është e vërtetë? Si do e përkufizoje ti pasurinë në rastin tënd?
Nuk e di ç’ndodh me të tjerë kolegë, por unë për vete kam vite që jetoj me këtë profesion dhe besoj kam të ardhura mjaftueshëm aq sa për të mbajtur familjen dhe për të menaxhuar veten…
KOHA: Për ç’arsye, në ndonjë rast, mund të reagosh keq?
Mund të reagoj keq kur më bëhet ndonjë padrejtësi dhe mosmirënjohjen nuk e toleroj!
KOHA: Cilët janë miqtë e tu në muzikë dhe jashtë muzikës?
Në muzikë nuk janë një apo dy, janë disa të cilët shpenzoj dhe një pjesë të mirë të ditës dhe ato e dinë mirë për kë e kam fjalën (buzëqesh), gjithashtu kam edhe shumë miq të tjerë jashtë fushës së artit!
KOHA: Sa kohë i kushton familjes?
Me familjen kaloj zakonisht kohë kur nuk kam angazhime me muzikën dhe i dedikohem tërësisht atyre. E diela është dita jonë që e shfrytëzojmë për të udhëtuar gjithmonë jashtë Tiranës.
KOHA: Momenti më i bukur që ke kaluar në jetë…
Në jetën e çdo artisti ka momente dhe emocione të forta, por momenti më i bukur besoj për çdo prind është ardhja në jetë e një fëmije. Unë kam dy djem kështu që këto janë momentet më të bukura të jetës time!
KOHA: Ka pushime në horizont apo vetëm punë?
Si çdo verë edhe kjo e sivjetshmja është e mbushur me data koncertesh dhe me festa e gëzime familjare po mendoj se disa ditë në qershor dhe disa në shtator janë të vetmet hapësira që unë mund të pushoj e të shijoj bregdetin.