Katania, 16 shkurt – Vullkani më i madh aktiv në Evropë, Etna, që gjendet në ishullin italian Sicilia, shpërtheu sot dhe lëshoi sasi të mëdha të llavës, tymit dhe hirit nga krateri juglindor.
Sipas fotografive dhe videove në rrjetet sociale, llava po përhapet në të gjitha drejtimet.
Sipas mediave italiane, krateri relativisht i ri në shpatin juglindor të vullkanit lëshoi “shpërthime sporadike” të llavës dhe hirit.
Aeroporti ndërkombëtar i Katanias, që gjendet 60 kilometra në jug të vullkanit, është ende i hapur për komunikacionin ajror. Vendimi nëse do të mbyllet do të merret nga Shtabi i krizës, i cili do të ketë seancë sonte.
Mediat në Gadishullin Apenin bëjnë me dije se aeroporti në Katania deri tani ka qenë i mbyllur kryesisht gjatë shpërthimeve të ngjashme si sot, pasi hiri mund të mbulojë pjesën më të madhe të qytetit.