Këndon prej vitesh dhe nuk ka ndërmend të ndalet e me projekte do të vijë shumë shpejtë ashtu si thotë dhe në intervistën e dhënë për InfraRed të gazetës KOHA, këngëtarja Ermira Memaj flet shumë mbi veten…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ermira, sezoni i ri të gjeti me projekte te reja. Pse kanë munguar nëpër ekrane klipet e tua të reja?
Arsyeja ka qenë jeta ime mes Tiranës dhe Europës. Pastaj ra në gjithë botën kjo pandemia dhe jeta u ngadalësua. Por kjo nuk do të thotë që shumë shpejtë mos publikohen projektet e reja, madje shumë më shpejtë se e mendoni.
KOHA: Njihesh si këngëtare e muzikës pop-folk, por ke provuar të këndosh dhe muzikë të lehtë. Në fakt, ku e gjen veten më mirë?
Unë këndoj të gjitha zhanret muzikore nëse më kërkohet një gjë e tillë, por te popullorja gjej veten, është muzika ime.
KOHA: Rrjedhimisht, ai është edhe zhanri më i kërkuar nga dashamirësit e këngës tënde, apo jo?
Normalisht, duke u njohur si këngëtare që këndon dhe do muzikën popullore, edhe ata që janë të pranishëm në eventet ku unë këndoj, muzikë popullore do kërkojnë, aq më tepër që shqiptarët njihen si popull qejfdashës dhe e duan muzikën që kërcehet.
KOHA: Cili është shembulli që ti ke ndjekur në jetë dhe në profesion?
Jam rritur me muzikën dhe nuk kishte si të mos bëhesha edhe unë pjesë e saj.
KOHA: Ke një zë shumë të ëmbël dhe je shumë simpatike. Mendon se mjaftojnë këto për të qenë një këngëtare e suksesshme?
Mendoj se po, pse jo?! Talenti është diçka që ti ose e ke, ose nuk e ke dhe nëse e ke, është bekim nga Zoti. Kur gërshetohet edhe me fizikun, rezultati do të jetë me patjetër suksesi.
KOHA: Ti jeton në Bruksel aktualisht apo jo?
Po aktualisht prej disa kohësh, unë jetoj e punoj këtu në Bruksel. Unë realisht ndihem shumë mirë këtu dhe gjej mbështetje të madhe nga ana profesionale prej shoqërisë, miqve dhe komunitetit të këtushëm, por jam gjithmonë me kokën pas. Një pjesë e imja sa e bukur, po aq edhe e veçantë është në Shqipëri.
KOHA: Çfarë të mungon nga Shqipëria?
Gjithçka. Edhe pse njeriu mundohet për më të mirën dhe e kupton që e ka arritur, përsëri i mungon ajo pjesë që quhet vendlindje.
KOHA: Kemi vënë re se nuk të pëlqen të ndryshosh shumë shpesh luk. Pse kjo zgjedhje?
Jam tip i qëndrueshëm edhe si duket kjo ndikon edhe ne look. Por here pas here duhet te bëjmë ndonjë ndryshim për hatër te skenës dhe për tu ndier mire me veten.
KOHA: Ndërmjet familjes, shoqërisë dhe punës, si e menaxhon kohën për të mos lënë pas dore askënd?
Nëse njeriu ka vullnet dhe do t’i bëjë gjërat, gjen kohë për të gjitha nga pak. Unë gjej kohë për familjen time dhe për të komunikuar me familjen që kam në Shqipëri.
KOHA: Linjat trupore i ke në formë! Si arrin t’i mbash?
Oh, faleminderit. Unë kam qenë gjithmonë shumë e kujdesshme te kjo pjesë. Nuk më pëlqen të shëndoshem dhe kur i vë synim vetes diçka, e arrij. Tani, gjate kësaj kohe e kemi toleruar pak veten por shpejt do shkojmë atje ku kemi qene me pak palestër dhe kujdes.
KOHA: Di që pjesa më e madhe e atyre që pëlqejnë dhe ndjekin muzikën tënde, janë femra. Si ndihesh nga ky vlerësim?
Asnjëherë nuk kam harruar të falënderoj publikun për mbështetjen e tij; ka qenë gjithmonë pranë meje. Sigurisht që ndihem jashtëzakonisht e vlerësuar sidomos për faktin që pëlqehem nga publiku femëror. Kjo do të thotë që ato e gjejnë veten te këngët dhe muzika ime.
KOHA: Çfarë të mungon tani në jetën tënde apo tashmë je e kompletuar?
Jam një femër e realizuar, kam një familje të mrekullueshme, kam një karrierë që për asnjë arsye nuk e kam lënë pas dore dhe ndihem mirë me veten. Ky quhet nivel realizimi vetjak.
KOHA: Deri kur do të këndojë Ermira?
Kënga është shpirti im, është jeta ime. Do të këndoj derisa të jem e zonja ta bëj një gjë të tillë. Unë besoj se çdo artist ka dëshirë ta bëjë artin e vet deri tek e pamundura, por kënga për mua është pasion, profesion dhe më perfeksionon.