Edhe pse prej vitesh ne ekran, duket se vitet e fundit kanë qenë më kulminante për moderatorin Ermal Peci. Programet e tij në Intv Albania u shndëruan shumë shpejtë në më të ndjekurat kjo për shkak të intervistave të tij dhe emrave big të ekranit që pranonin të rrëfeheshin përballë Ermalit. Atëherë kur çdo shtator sjell sezonet e reja televizive, moderatori lajmëroi pjesëmarjen e tij në spektaklin e kërcimit të dyshes Vejsiu-Grabocka. Nëse ishim mësuar me programet ‘Një kat më lartë’ apo ‘Trokit’ tani të hënave ai na ka surprizuar duke kërcyer në spektaklin e Tv Klan. Surprizë jo vetëm për publikun por edhe për jurinë që theksojnë çdo javë impenjimin maksimal, dedikimin ndaj çdo detaji dhe përfshirjes plot ndjenjë në çdo kërcim. Po ai si e percepton vetë këtë eksperiencë? Pas mbarimit të Dance with me, në cilin televizion do ta shohim duke qenë se lajmëroi largimin nga Intv Albania? A është koha për një television kombëtarë? Ermali zbulon më shumë…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Që nga dalja e parë në ekran e deri te Dance ëith me, sa rrugë mendon se ke bërë?
Fizikisht një dekadë duket sikur fluturoi brenda një minute, ndoshta edhe për shkakun se e dua aq shumë këtë profesion, unë si natyrë jam shumë kërkues ndaj edhe kam ndryshuar shumë formate. Vetëm programet sportive më kanë mbetur por nuk besoj se do të bëj një të tillë. Mendoj se rruga është shtruar mirë, bindshëm dhe me dinjitet. Sigurisht që deri në fund, kohën kur do të largohem nga ekrani ka ende mijëra kilometra, unë mendoj se jam në momentin e kënaqësisë pafund.
KOHA: Kjo do të thotë që je i kënaqur me kaq sa ke arritur?
Patjetër, disa programe u shndëruan shumë shpejtë në të preferuarat e publikut, shumë artistë dëshironin të ndanin tek unë rrëfime që mbushen mediat online dhe diskutimet e Tiranës, ka një ndjesi të mirë me veten kur secila ftesë që bën merr një po të madhe.
KOHA: Si e prite ftesën për në “Dance with me”?
Telefonata e Vera Grabockës ndodhi teksa unë isha live në ekran, teksa program vijonte intuita më dërgoi tek spektakli, është ftesa e dytë që marr nga produksioni, e mendoj se ky ishte moment ideal për të provuar veten në një tjetër disciplinë.
KOHA: Si e ke parë veten përgjatë këtyre javëve në këtë spektakël?
Java e parë, provat, tango… ishin emocione. Kërcimi më ka joshur gjithmonë por skena është magji me vete! I hyra me kokë dedikimit që javën e parë, sfidoj veten me çdo gjini kërcimi aq sa shpesh më thonin: ore shumë seriozisht e more (qesh). Ndërkohë unë u përgjigjem: po e shijoj aq shumë!
KOHA: Marrëdhënia me partneren tënde në këtë spektakël?
Një marrëdhënie që i ka të gjitha ngjyrat. Unë Evën e njihja në raporte pune, jo kërcimi. Në arenën e kërcimit ndodh gjithçka, kulmi është në mbrëmjen live.
KOHA: Çfarë mendove kur mësove se Eva do të ishte partnerja jote?
Fakti që kemi punuar bashkë, më bëri të ndihesha mirë që do ishim bashkë. Duke qenë se emrat e konkurentëve mbahen surprizë mund të ndodhte të kishe edhe dikë tjetër të cilën e njeh më pak. Ndodhi e kundërta.
KOHA: Sa miq jeni me njëri-tjetrin?
Aq sa takohemi në ‘Dance ëith me’ nuk jemi takur më parë. Impenjimet personale në televizion nuk të japin shumë kohë për të tjerët, aq sa mbeten, u takojnë njerëzve tejet të ngushtë.
KOHA: Si i ke parë partneret e tjera? Do doje të kërceje me ndonjë prej tyre?
Mendoj që këtë edicion, përjashto Valerin dhe Florjanin që kanë provuar gara kërcimi edhe më herët, secili prej nesh është një surprizë me vete, ka një dedikim absolut. Stela, Kejvina dhe Eliona jane aq unike në atë që përfaqësojnë. Kam provuar për kënaqësi në palestër të kërcej me Elionën dhe patem një kimi direkte. Ndoshta do të kërceja me të, në një tjetër arenë.
KOHA: Si shkon një 24 orësh i Ermalit kur ke xhirime e prova dhe jashtë saj?
Shkëputja ime nga Intv Albania, më dha pak më shumë kohë për veten. Impenjimi për spektaklin e kërcimit është i përditshëm dhe i konsiderueshëm, edhe në prova edhe në xhirime. Po marr pak kohë për veten pasi sapo të mbaroj Dance do të më duhet të gjejë një shtëpi të re për projektet e mia. Të qenurit në Tv Klan më ka afruar çdo ditë me këtë ekran, ndaj tani që Dance po mbaron do të më duhet të rivij në ekran me programet e mia. Uroj të bëhet më e mira.
KOHA: Së fundi, a do e fitosh ti Dance with me?
Kur kam qenë publik e jo konkurent, kam vlerësuar shumë ata që janë zbuluar në këtë format. Siç e thashë më lartë, mendoj që surprizë për këtë edicion ishim ne që prekëm në Dance with me për hërë të parë kercimin. A do fitoj unë? Mendoj se e kam fituar, për aq kohë sa kënaqësia që kam marrë mbrapsht është maksimale.