Sven Goran Erikson ka qenë një ndër kandidatët për të marrë drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë pas largimit të Xhani De Biazit. Trajneri suedez, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe Anglinë, i telefonoi presidentit Duka për t’i kërkuar që t’i jepte drejtimin e kuqezinjve, por ky i fundit vendosi që të refuzonte këtë kërkesë.
Pavarësisht emrit të madh të Erikson, duket se kreu i FSHF-së ka marrë vendimin e duhur, duke pasur parasysh se suedezi 70-vjeçar tani ka disa prioritete të tjera në jetë. Në një intervistë të dhënë për “Expressen”, ai ka treguar se tani, i papunë, thjesht shpenzonte milionat që kishte marrë nga Kina, ku paguhej deri një vit më parë me 4,5 milionë euro në sezon nga një klub i kategorisë së dytë. “Do të dëshiroja që njerëzit, kur të dëgjojnë emrin tim, të mendojnë për futbollin dhe të gjithë gjërat pozitive që kam bërë. Por mendoj se shumë prej tyre, kur dëgjojnë të flitet për Erikson, mendojnë vetëm për femrat”, tha ai.
Erikson ka qenë gjithmonë në qendër të kronikës rozë gjatë periudhës kur drejtonte Anglinë, i akuzuar shpesh se tradhtonte partneren e tij të atyre viteve, Nensi Del’Olio. “Nuk e kam tradhtuar asnjëherë atë, pasi nuk kemi qenë asnjëherë të martuar”, ishte justifikimi i suedezit. “Unë kështu i shoh gjërat”. Tani, ai ka një lidhje me ish-modelen Janiseth Alcides, të cilën me sa duket nuk e sheh si gruan e fundit të jetës së tij. “Përse të mos kesh shumë gra njëkohësisht? Nuk kam çfarë t’i bëj, bie në dashuri shumë lehtësisht”, përfundoi Erikson.