Eriksen: Kjo gjë s’më kishte ndodhur asnjëherë dhe shpresoj që të mos më ndodhë kurrë më

Christian Eriksen provoi një eksperiencë të veçantë gjatë ndeshjes Kosovë – Danimarkë. Ylli i Tottenhamit u përqafua papritmas nga një fans që u fut në fushë gjatë ndeshjes. Në një intervistë për mediet daneze pas ndeshjes, Eriksen foli për incidentin me tifozin dhe për takimin që u mbyll në barazim 2 – 2, një rezultat ky që e ka zhgënjyer tejmase danezin.

“Papritur ndjeva se dikush po më mbante. U surprizova shumë. Në fillim mendova mos ishte ndonjë kundërshtar, më pas thashë me vete çfarë dreqin po ndodh. U ktheva dhe pashë që ishte një tifoz që po thoshte disa gjëra”.

“Kur po largohej më kërkoi bluzën, por atë ia dhashë disa ushtarëve danezë që kishin ardhur për të na parë. S’më kishte ndodhur ndonjëherë. Ishte diçka e bukur ta provoja, por shpresoj që të mos më ndodh sërish”.

QËNDRIMI NË STOL – “Kisha kohë që nuk rrija në stol. Para ndeshjes mu desh të pyesja të tjerët mbi rutinën që bëhet para ndeshjes. Do doja ta filloja nga minuta e parë, por i kuptoj rrethanat. Ndeshja që ka rëndësi është ajo e së martës”.

NDESHJA KUNDËR ZVICRËS –“Ju premtoj se do të shihni një Danimarkë tjetër. Duam të marrim një rezultat pozitiv kundër Zvicrës. Një barazim në transfertë ndaj Zvicrës është diçka ndryshe nga një barazim ndaj Kosovës. Jam i zhgënjyer, e di se jemi të aftë ta mbysim Kosovën. Ata ishin të mbushur në besim dhe ishin më të mirë se në disa periudha të lojës”, përfundoi Eriksen.