Erika ka disa klipe në treg dhe më i fundit, ai me titull “Bang Bang” një realizim i klipit nga FourInfinit, ka bërë që Erika të zërë një vend të mirë në publik. Ajo pritet të sjellë një këngë të re të cilën sigurisht do ta shoqërojë me një klip, por vet ajo thotë se do të punojë shumë që të sjellë diçka të arrirë. E lumtur për gjithçka ka arritur deri tani, ajo rrëfehet në intervistën për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: “Bang Bang”” është titulli i këngës tënde më të fundit, çfarë ke dashur të përçosh tek publiku, përmes kësaj kënge?
Në fakt, çfarë do të mund të kuptojmë tjetër përmes kësaj kënge?! Mendoj që teksti i këngës është komunikim i zakonshëm mes të rinjve edhe të dashuruarve dhe mendoj se në mënyrë më spontane shpreh komunikimin në raportet e dashurisë. Besoj që edhe nga publiku, kështu kuptohet.
KOHA: Rrugëtimi yt në rrugën e këngës deri tani, mund të themi që ka qenë relativisht i suksesshëm. Për çfarë je më shumë krenare?
E para, mendoj se rrugëtimi im në këtë fushë sapo ka nisur, pavarësisht se kam realizuar disa këngë dhe klipe dhe më mbetet shumë punë për të arritur aty ku synon një artiste e mirëfilltë. Jam krenare me suksesin dhe bashkëpunëtorët me të cilët kam arritur deri këtu.
KOHA: A mendon se ka një formulë që garanton suksesin e plotë, në muzikë?
Mendoj se formula që garanton suksesin e sigurt është puna profesionale dhe origjinaliteti, pra krijimi i një stili që identifikon artistin në mënyrë të veçantë.
KOHA: Kënga është ajo që Erika di të bëjë më mirë?
Me këngën ndihem më mirë, por nuk është i vetmi angazhim që kam pasur deri tani, jam marrë edhe me modelim, sepse më pëlqen si fushë arti, gjithsesi tani për tani kënga është kryesore.
KOHA: Çfarë ka ndikuar në formimin e karakterit të Erikës?
Në aspektin artistik mendoj se kam trashëguar nga familja, ngaqë edhe mamaja ime ka qenë këngëtare e muzikës popullore. Ndërsa në aspektet tjera, kuptohet në karakter ndikojnë shumë faktorë të ndryshëm.
KOHA: Ti ke një stil tëndin në veshje, që herët e para që je prezantuar për publikun tënd. Duke u quajtur “in” gjithë kohës, e ndjen ndonjëherë këtë si një tjetër përgjegjësi që të kanë ngarkuar, ndoshta edhe pa dashje?
Stili i veshjes është zgjedhje personale, përveç në rastet kur për këtë vendosin profesionistët për shkak të punës. Pa dashur të shmang ndikimin që pamja e një artisti, synimi im është që te publiku të mbahem mend për zërin dhe këngën si tërësi.
KOHA: Me rritjen, njeriu e kupton jetën ndryshe! Cila është diçka që eksperienca të ka mësuar së fundmi?
Njeriu mëson gjatë gjithë jetës. Pa diskutim, çdo gjë të re që kam hasur për mua ka qenë një eksperiencë për të ardhmen si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal.
KOHA: Je përpjekur që suksesi yt t’i kapërcejë kufijtë e Shqipërisë? E ke parë ndonjëherë veten si një talent ndërkombëtar?
Synimi i çdo artisti është të arrij sukses sa më të madh që është e mundshme. Aktualisht synimi im është të arrij sukses në tregun shqiptar, dhe pas kësaj hapen dyert pse jo edhe tregun më të gjerë.
KOHA: Me çfarë e ushqen shpirtin, brendinë tënde?
Një njeri, një artist e bën të kompletuar përveçse pamjes së jashtme edhe brendësia e tij. Nuk besoj se kam shumë nevojë për të kuruar pjesën e brendshme sepse ajo është një përditshmëri e imja me rrethin dhe familjen time nga të cilët marr dhe jap dashuri.
KOHA: Çfarë të bën të ndihesh mirë?
Pozitiviteti dhe mbi gjitha familja ime.
KOHA: Jam kurioz si do jetë kënga në vijim…
Këtë shumë shpejt do ta kuptojë dhe mësoje edhe publiku por le të jetë një surprizë e këndshme sepse dua ta punoj gjatë dhe të dalë diçka e bukur!