Po e mbyll këtë shkrim edhe me dy thënie tjera popullore: “Çka ka n’kojshi, prite n’shpi”, që për rastin konkret do i përgjigjej kjo fjali: “Ate çka ke bë te shpia, tani ta bën kojshia”. ERGA OMNES, shprehje kjo e pa njohur në skenën politike, në kohën kur shqiptarëve të Maqedonisë ju nëpërkëmbeshin të gjitha të drejtat, sot u kthehet bumerang bashkështetasve tanë maqedonas. Jo më kot një thënie tjetër e urtë thotë: “Çka bajsh, ta bajn dhe një ta shtojnë”
Nga Vebi BEXHETI
Muajve të fundit në fjalorin politik shprehja më e pranishme në Maqedoni ishte togfjalëshi “Erga Omnes”. Kjo shprehje u identifikua aq shumë me zgjidhjen e problemit të emrit, dhe kryeministrat e dy vendeve, sa që dikush mbase mund edhe të mendonte se njëri nga dy këto kryeministra, quhej Erga, ndërsa tjetri Omnes. U desh shumë kohë që populli, madje edhe klasa politike këtu në Maqedoni, ta kuptojë domethënien e saj, disa nga të cilët ende nuk janë në gjendje ta shqiptojnë si duhet. Disa nga maqedonasit dinë vetëm se për Maqedoninë është diçka e keqe e cila mund t’i prek edhe në gjuhë e identitet, që bashkë me emrin, mezi i kompletuan, gjatë historisë, që nga viti 1944, kur u bënë pjesë e Jugosllavisë e deri në kohën e pavarësimit, në vitin 1991, kur emrin e shtetit të përbashkët me shqiptarët dhe të tjerët, por jo edhe të barabartë për të gjithë, e humbën sërish, për t’u njohur ndërkombëtarisht si IRJM.
Emri i ri i shtetit, që u pavarësua tërësisht nga Jugosllavia që po shpërbëhej, realisht nuk ishte emër, por vetëm lojë fjalësh diplomatike nën presionin e fuqishëm të Greqisë, që e vuloste fatin e një shteti që nuk ekzistonte më me atë emër, dhe pikërisht për këtë edhe u konsiderua si i përkohshëm. Ky ishte një realiteti i hidhur për maqedonasit dhe elitat e tyre politike që në atë kohë, prandaj tani, pas aq shumë vitesh, formula ERGA OMNES ( për përdorim të përgjithshëm), që vjen nga ana e negociatorëve grekë, nuk ka pse të jetë aq befasuese për një pjesë të maqedonasve të cilët edhe me emrin e përkohshëm, madje jashtë integrimeve në NATO e BE, shteti të cilin e llogarisin vetëm të vetin, as që mund të mbijetojë.
Edhe shqiptarët nuk do ishin për ndërrimin e emrit të shtetit në të cilin fati historik i detyroi të jetojnë me maqedonasit dhe të tjerët, nëse kjo nuk do ishte domosdoshmëri për shkaqe tani më të njohura. Historikisht dihet se shqiptarët i lidh shumëçka me maqedonasit e vjetër dhe Lekën, emrin e të cilit Shqipëria prej kohësh e ka edhe emër të monedhës kombëtare, prandaj nëse i dhimbset dikujt emri Maqedoni, pa ndonjë referencë, qoftë gjeografike apo kohore, ato duhet të jenë shqiptarët. Me gjithë këtë realitet historik, jemi të vetëdijshëm ne shqiptarët për sikletin që kanë maqedonasit, të cilët janë të lidhur emotivisht me emrin Maqedoni, territor ky nga i cili edhe u emërtuan si komb.
Shqiptarët, nga bashkëjetesa e imponuar një kohë të gjatë me sllavët, qysh në periudhën e Mbretërisë së SKS-së, në atë të “Vëllazërim- bashkimit” të Titos dhe në shtetin e pavarur, që mbeti pa emër të njohur nga OKB dhe shumë shtete të botës, kanë vetëm kujtime të hidhura. Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të periudhës komuniste, shqiptarët u akuzuan vazhdimisht për irredentizëm, fjalë kjo që për shumëkënd as që dihej se çka donte të thotë, përveç se një fjalë e keqe që të çonte në burg. Për 10 vite me radhë, që nga 81-shi, kjo fjalë që peshon rëndë në kujtesën e shqiptarëve, sidomos të atyre të Maqedonisë, i dërgonte në burg qindra e qindra “irredentistë e nacionalistë”, që kinse paskan dashur një pjesë të Maqedonisë t’ia bashkangjesin Shqipërisë.
Në brendinë e kësaj fjale qëndronte tmerri i vërtetë, ajo ishte damka e zezë që ta merrte lirinë pa asnjëfarë prove gjyqësore. Populli thotë: “Ra kjo vdekje e u pamë.”Brenda kësaj thënieje sa filozofike aq edhe kanunore, qëndron një e vërtetë e madhe. Rasti i kontestit të emrit kushtetues të Maqedonisë, por të panjohur ndërkombëtarisht, përveç tjerash, nxori në dritë edhe apetitet romantike të disa qarqeve politike maqedonase, që kryeqytetin e Maqedonisë do e zhvendosnin nga Shkupi në Selanik, që nga pala greke, bashkë me këmbënguljen për mosndërrimin e emrit, konsiderohej si irredentizëm.
Kjo histori me dyshimet për irredentizëm ndaj Greqisë u riaktualizua në momentin kur Kryeministri Zaev e propozoi emrin e ri, të mundshëm “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, emër ky që në heshtje u pranua edhe nga VMRO, por që ky pajtim nuk zgjati shumë, meqë pala greke shumë shpejt e hodhi poshtë, edhe pse ajo maqedonase u pajtua që ky emër t’i nënshtrohet ERGA OMNE-es. Po e mbyll këtë shkrim edhe me dy thënie tjera popullore: “Çka ka n’kojshi, prite n’shpi”, që për rastin konkret do i përgjigjej kjo fjali: “Ate çka ke bë te shpia, tani ta bën kojshia”. ERGA OMNES, shprehje kjo e pa njohur në skenën politike, në kohën kur shqiptarëve të Maqedonisë ju nëpërkëmbeshin të gjitha të drejtat, sot u kthehet bumerang bashkështetasve tanë maqedonas. Jo më kot një thënie tjetër e urtë thotë: “Çka bajsh, ta bajn dhe një ta shtojnë”. (koha.mk)