Bujar KURTAJ
Shkup, 8 shtator – Sulmuesi shqiptar i Vardarit, Erdon Daci do të vazhdojë karrierën në Turqi. Ai të mërkurën në mbrëmje ka zyrtarizuar kontratën me skuadrën e Konjasporit, që garon në Superligën e Turqisë. Lajmi është bërë publik nga vet futbollisti, i cili për gazetën KOHA, pas nënshkrimit të kontratës ka folur për mënyrën se si erdhi deri te ky transferim dhe kush e dërgoi te skuadra e Konjasporit.
“Në Turqi respektivisht në Konja jam qe tre muaj edhe atë falë menaxherit të Anderlehtit Bekir Tetik si dhe Faruk Pokragja, të cilin e falënderoj, pasi edhe aj është pjesë e këtij transferi. Prej ditës së parë unë kam arritur marrëveshje me këtë klub, por shkaku që drejtuesit e klubit turk dhe KF Vardar nuk u morën vesh për dëmshpërblimin, prolongohej dita e nënshkrimit. Falë Zotit, pasi të dyja palët gjetën gjuhë të përbashkët dhe njëkohësisht u kompletuan dokumentacionet tjera, si dhe mora leje qëndrimin për qëndrim në Turqi për tre vite, nënshkrova kontratën tre vjeçare”, tregon për gazetën KOHA, njëri prej futbollistëve më të talentuar shqiptar nga Maqedonia, i cili me shumë sukses ka luajtur për juniorët e KF Vardar.
Ndryshe, gjatë periudhës tre mujore, Daci është stërvitur me ekipin e parë të Konjasporit, ndërsa ndeshjet i ka zhvilluar për ekipin e U-21.
“Siç thash prej ditës së parë unë kam arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit të Konjasporit. Që në ditën e parë unë iu bashkova ekipit duke realizuar fazën përgatitore duke zhvilluar të gjitha ndeshjet kontrolluese. Edhe pse nuk arrita të shënojë, trajneri dhe drejtuesit e klubit ishin shumë të kënaqur nga performancat e mia. Vazhdimisht jam nën përkujdesjen e tyre dhe kështu do të jetë deri në fund të vitit. Pra do të stërvitem me ekipin e parë, ndërsa do të luajë për ekipin e 21-vjeçarëve të Konjas. E gjithë kjo bëhet derisa unë të adaptohem në futbollin turk”, shtoi më tej 19-vjeçari.
Në fund Daci tha se është shumë I kënaqur që karrierën futbollistike do ta vazhdojë në Turqi.
“Jam shumë i kënaqur që do të jem pjesë e skuadrës së Konjasporit. Gjatë këtyre tre muajve, kam vetëm fjalë të mira. Gjithçka është në nivel, duke filluar nga kushtet, jeta dhe shumë gjëra tjera që i nevojiten një futbollisti. Mua nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm se të vazhdojë të punoj maksimalisht dhe të aktivizohem sa më shpejtë në ekipin e parë, pasi ky është edhe synimi im, I menaxherit Bekir Tetik dhe drejtuesve të klubit turk”, përfundoi rrëfimin e tij për gazetën KOHA, tani më futbollisti i ri i Konjasporit, Erdon Daci.