Erdogani thërret Zelandën e Re ta kthejë dënimin me vdekje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan i ka bërë thirrje të martën Zelandës së Re që ta kthejë dënimin me vdekje, për sulmuesin terrorist që la pesëdhjetë të vrarë në dy xhami në Christchurch, duke paralajmëruar se Turqia do ta bëjë sulmuesin të paguajë, nëse këtë gjë nuk e bën shteti zelandas.

Australiani Bernton Tarrant (28) është akuzuar për vrasje të shtunën, pas sulmit në dy xhamia gjatë faljes së xhumasë.

“Vrave në mënyrë të llahtarshme 50 vëllezër dhe motra tona. Do ta paguash. Nëse këtë nuk e bën Zelanda e Re, atëherë e dimë se si do ta bëjmë ne”, ka thënë Erdogani gjatë një tubimi zgjedhor në Turqinë Veriore. Ai nuk e ka elaboruar.

Ai ka thënë se Turqia gaboi që hoqi dënimin me vdekje 15 vjet më parë, duke shtuar se Zelanda e Re duhet t’i bëjë përshtatjet ligjore, në mënyrë që sulmuesi të përballet me dënimin kapital.