Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot i propozoi Rusisë dhe SHBA-së që t’i tërheqin forcat e tyre nga Siria, pasi kolegët e tij nga Rusia dhe SHBA-ja, Vlladimir Putin dhe Donald Tramp, konstatuan se për konfliktin në këtë vend të Lindjes së Afërt nuk ka zgjidhje ushtarake. “E kam të vështirë për t’i kuptuar ato konstatime. Përderisa zgjidhja ushtarake nuk është dalje nga situata, atëherë ata, të cilët e flasin këtë, duhet t’i tërheqin forcat e tyre nga Siria”, theksoi Erdogan para se të niset për në Soçi në takim me Putinin.
Presidenti turk theksoi se në takim me Putinin planifikon ta ngritë edhe këtë çështje. “Planifikoj në Soçi me Putinin të flas edhe për mundësitë për gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Siri, për hapat e ardhshme të Turqisë dhe Rusisë në rajonin e Afrinit, si dhe për detajet nga marrëveshja për blerjen e sistemeve raketore ruse C-400”, potencoi Erdogan. Nga fillimi i muajit, presidenti i Turqisë kumtoi se përveç në provincën siriane Idbil, Ankaraja do të bashkëpunojë me Moskën edhe në rajonin e Afrinit.