Ankara, 4 korrik – Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se është i gatshëm që të ndërmjetësojë mes Uashingtonit dhe Teheranit me qëllim që të ulen tensionet për programin bërthamor iranian.
Ai theksoi se në rolin e tij eventual të ndërmjetësuesit ka biseduar me kryeministrin japonez Shinso Abe gjatë Samitit të G-20 në Osakë.
Erdogani bëri të ditur se Abe e ka pyetur se a mund që së bashku të veprojnë si ndërmjetësues, me çka presidenti turk është përgjigjur se është i gatshëm të takohet me liderët iranianë.
Presidenti i Iranit, Hasan Rohani dje paralajmëroi se nga 7 korriku do ta rrisë nivelin e uraniumit të pasur.
“Nëse nënshkrueset tjera të marrëveshjes bërthamore nuk i përmbushin premtimet e tyre, atëherë reaktori bërthamor Arak pas 7 korrikut të këtij viti kthehet në aktivitetet paraprake”, deklaroi dje Rohani.
Paraprakisht, Irani më 1 korrik kumtoi se e kaloi kufirin e rezervave të uraniumit të pasur të dakorduar me marrëveshjen multilaterale në vitin 2015. Kjo ishte shkelja e parë e asaj për çka janë marrë vesh nga ana e Teheranit pasi SHBA-ja vitin e kaluar njëanshëm u tërhoq nga marrëveshja.
Irani, me marrëveshjen që në vitin 2015 e nënshkroi me SHBA-në, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, u obligua që ta kufizojë aktivitetin për pasurimin e uraniumit, ndërsa si kthim i ishte premtuar ndërprerja e sanksioneve ndërkombëtare.
Trampi vitin e kaluar njëanshëm e tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja dhe vendosi sanksione shtesë drejtë Iranit. Teherani zyrtar kërkoi nga vendet e tjera nënshkruese të Marrëveshjes që ta mbrojnë Iranin nga sanksionet amerikane, ndërsa në të kundërtën paralajmëroi se nuk do t’i përmbahet marrëveshjes.