Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan mbrëmë në një tubim në qytetin Diarbakër u kërkoi kurdëve, me të cilët ka pasur aq shumë përplasje, që t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe të votojnë “po” në referendumit e reformave më 16 prill që do të shumëfishojnë fuqitë e tij presidenciale.
Kreu i shtetit turk e përshkroi veten si “gardian të paqes”, ndërsa u drejtonte këtë apel banorëve kurdë të juglindjes së vendit, të tronditur nga konfliktet. Partia prokurde “HDP”, gëzon mbështetje të gjerë në këtë pjesë të vendit, e që Erdogani e konsideron si zgjatim të Partisë së paligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit.
“Këta mbështetësit e PKK-së vazhdojnë të flasin për paqe. Por a e sjellin paqen fjalët boshe? A mund të vendosin paqen njerëz që vijnë rrotull me armë në duar? Ne jemi gardianët e vërtetë të paqes, ne jemi gardianët e lirisë”, tha Erdogan.
Erdogani i pati nisur dikur bisedimet e paqes me PKK-në, por e përjashtoi mundësinë e rikthimit në tryezën e negociatave pas kolapsit të armëpushimit dyvjeçar, korrikun e vitit 2015. Që prej atëherë, juglindja me shumicë kurde e Turqisë është tronditur nga disa prej luftimeve më intensive të tre dekadave konflikti mes militantëve kurdë dhe forcave turke të sigurisë.
Argumenti i Erdoganit është se Turqisë i nevojitet një presidencë e fuqishme për të shmangur qeveritë e brishta të koalicionit në të ardhmen.
HDP-ja e kundërshton reformën kushtetuese të kërkuar prej tij, por aftësia e saj për të bërë fushatë është cënuar ndjeshëm nga goditja që i ka dhënë pushteti, duke burgosur një pjesë të udhëheqësve të saj e një duzinë ligjvënësish, ndërsa me mijëra pjesëtarë të partisë së drejtuar nga Selahatin Demirtash akuzohen për lidhje me PKK-në.