Ankara, 30 mars – Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot njoftoi se në çdo moment mund të fillojë operacion ushtarak në qytetin irakian Sinxhar.
“Ne jemi të vendosur për t’i dhënë fund terroristëve (pjesëtarëve të Partisë Punëtore Kurde) në Sinxhar. Prandaj, ne një natë mund të hyjmë atje papritmas. Kjo nuk bëhet me publikimin e datës por pa asnjë paralajmërim”, deklaroi Erdogan për televizionin NTV.
Ai shtoi se rajoni irakian Sinxhar, i cili kufizohet me Sirinë, “nuk është Kandil por alternativa e tij”.
Në rajonin malor Kandil në veri të Irakut në 30 deri 35 vitet e fundit kampe ka PKK-ja, që kohë pas kohe janë në shënjestër të aviacionit ushtarak turk.
Erdogani i bëri apel Qeverisë irakiane të ndërmerr masa kundër PKK në Sinxhar.
“Nëse ju nuk e bëni atë, atëherë na lejoni ne ta bëjmë. Kjo është çështje e përbashkët e Ankarasë dhe e Bagdadit, ne jemi të përgatitur të punojmë së bashku”, theksoi Erdogan.
Presidenti i Turqisë që nga 19 marsi paralajmëroi operacion në Sinxhar, ndërsa Ministria për mbrojtje irakiane kumtoi se do të përgjigjet ndaj çdo intervenimi ushtarak kundër sovranitetit, Kushtetutës dhe territorit të Irakut. Pas paralajmërimit të Erdoganit, Bagdadi dërgoi ushtri në Sinxhar.