Ankara, 20 shkurt – Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi se Turqia nuk do të mundet vetë të ballafaqohet me valën e re eventuale të refugjatëve. Në fjalimin e Konferencës së gjashtë ministrore në kuadër të procesit të Budapestit në Stamboll, ai vlerësoi se ndërtimi i mureve të larta me tela me gjemba nuk është zgjidhje për parandalimin e migrimit ilegal.
Erdogan precizoi se në mbarë botën ekzistojnë rreth 26 milionë emigrantë, mbi 68 milionë persona të shpërngulur dhe mbi 25 milionë refugjatë. Ai informoi se Turqia deri tani ka harxhuar 37 miliardë dollar nga burimet personale për kujdesin e refugjatëve.
“Gjatë tetë viteve ne kemi pranuar katër milionë njerëz, përderisa disa shtete, me mundësi më të mëdha, “hahen në mes vete”, rreth pranimit të 100 deri 150 refugjatëve”, theksoi Erdogan.
Ai thotë se politikanë të caktuar evropianë me retorikë anti- emigruese përpiqen t’i fitojnë votat e qytetarëve
Politikanët evropianë, veçanërisht partitë raciste, përpiqen të vijnë në pushtet, duke treguar armiqësi ndaj refugjatëve”, tha presidenti turk.
Konferenca ministrore në kuadër të procesit të Budapestit është forum ku më shumë se 25 vjet mblidhen përfaqësues të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për të biseduar për çështje të lidhura me emigrimin. (koha.mk)