Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, u shpreh më 16 prill se Turqia nuk e miraton retorikën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias.
Nikos Dendias dhe homologu i tij turk, Mevlut Çavusoglu, u përplasën të enjten e 15 prillit gjatë një konference shtypi jashtëzakonisht të sinqertë dhe të nxehtë në Ankara.
Ai theksoi se Ankaraja dëshiron një “periudhë harmonizimi” me fqinjin e saj.
“Ne nuk e shohim të drejtë qëndrimin e ministrit grek”, u tha Erdogan gazetarëve.
Ai kujtoi se Turqia dhe Greqia, si dy fqinjë, kanë “një histori dhe një qasje tjetër, si dhe marrëdhënie të ngrohta”.
Erdogan tha se gati 150 mijë turq jetonin në Trakinë Perëndimore dhe vuri në dukje se Greqia gjithashtu ka lidhje me Turqinë, duke kujtuar se Dendias kishte vizituar Patriarkun Ortodoks Grek në Stamboll.
“Ne patëm një takim në një atmosferë shumë të ngrohtë”, por kjo gjendje humbi në konferencën e tyre për shtyp me Çavuşoglu, tha Erdoğan.
Marrëdhëniet Turqi-Greqi
Në një postim në Twitter, shefi i komunikimeve të Erdoganit, Fahrettin Altun, postoi një video duke akuzuar Greqinë për strehimin e “terroristëve” që kanë shënjestruar Turqinë, duke përfshirë separatistët kurd dhe anëtarët e një grupi të akuzuar për organizimin e një përpjekje grushti shteti në 2016.
Turqia ka akuzuar gjithashtu rojen bregdetare greke për vënien e jetës në rrezik, duke detyruar migrantët që përpiqen të arrijnë ishujt grekë përsëri në ujërat turke.
Ndërkohë, Greqia ka pretenduar se Turqia po lehtëson kalime të tilla në shkelje të një marrëveshjeje për refugjatët e 2016-ës midis Ankarasë dhe BE-së.
Megjithëse vëzhguesit i shohin bisedimet midis Cavusoglu dhe Dendias si një zhvillim të rëndësishëm, ata thonë se ka pak shpresa për një përparim serioz diplomatik mbi çështjet që ndajnë vendet.
“Dallimet midis Turqisë dhe Greqisë janë të ndërlikuara dhe të pakthyeshme”, tha Eyup Ersoy, një anëtar i fakultetit në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Turqi.
Armiqësia midis të dy palëve daton prej shekujsh dhe është një temë qendrore në themelin e të dy shteteve – Greqia fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane në shekullin e XIX-të ndërsa disfata e forcave greke në Anatolinë Perëndimore shënoi formimin e Turqisë moderne pas Luftës Botërore.
Albanianpost.com