Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan sot paralajmëroi se Turqia do t’i bojkotojë pajisjet elektronike të prodhuara në SHBA, si reagim të marrëdhënieve të përkeqësuara mes Ankarasë dhe Uashingtonit.
“SHBA-ja na sulmon ekonomikisht jo vetëm neve, por edhe Kinën, Rusinë, Iranin dhe Evropën. E sulmoi madje edhe Kanadanë. Por, kundër nesh është ndërmarrë operacion. Do ta bojkotojmë elektronikën amerikane. Ata e kanë iPhonin, por ekziston edhe ‘Samsung’-u”, theksoi Erdogan.
Në të njëjtën kohë edhe aerotransportuesi nacional turk “Turkish Airlines” filloi fushatë për bojkot të reklamave dhe ndërmarrjeve amerikane. Zëdhënësi i “Turkish Airlines”, Jahja Ustun në Tuiter publikoi hashtagun #ABDyeReklamVerme (MosIReklamoniSHBA-në), duke u bërë thirrje edhe kompanive të tjera turke t’i bashkangjiten bojkotit.
“‘Turkish Airlines’ e mbështetë popullin dhe shtetin tonë. Urdhër i tillë u është dhënë agjencive tona të reklamimit”, shtoi Ustun duke e paralajmëruar bojkotin. Thirrje për bojkotim të prodhimeve amerikane dje bëri edhe kompania më e madhe turke e telekomunikimeve “Turk Telekom”.
Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit u përkeqësuan pasi që SHBA i rriti dyfish doganat për import të çelikut dhe aluminit nga Turqia dhe vendosi sanksione ndaj dy ministrave turq, si reagim ndaj arrestimit të pastorit amerikan, Endrju Bronson nga ana e autoriteteve turke.