Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se SHBA-ja në konsullatën e saj në Stamboll fsheh “një person të dyshuar”, i cili ka lidhje me predikuesin islamik Fetullah Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon për tentimin e vitit të kaluar për grusht shtet.
Erdogani deklaroi se Ankaraja zyrtare mbetet në qëndrimin për ndërprerjen e dhënies së vizave turistike në SHBA, si përgjigje në ndërprerjen e dhënies së vizave amerikane në Turqi. Ai paraprakisht e akuzoi ambasadorin amerikan në largim Xhon Bas se është fajtor për kontestin mes Ankarasë dhe Uashingtonit, duke theksuar se për shkak të diplomatit SHBA-ja i sakrifikon marrëdhëniet me një aleat të NATO-s. Për shkak të arrestimit të të punësuarve në misionet diplomatike amerikane në Turqi, Uashingtoni para disa ditëve e ndërpreu dhënien e vizave, në të cilën Ankaraja u përgjigj me masa reciproke.