Stamboll, 8 tetor – Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll duhet të dëshmojë nëse gazetari disident dhe shkrimtari Xhamal kashogi e ka braktisur ndërtesën apo jo.
Për Kashogin nuk ka kurfarë informata pasi që hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
“Ata kanë shumë kamera … nëse e ka braktisur vendin, përse nuk e dëshmojnë atë”, tha Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp në Budapest me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Erdogan tha se ka shumë zëra deh spekulime në mediume për fatin e Kashogit, por shtoi se shpreson për rezultate të caktuara sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Ne mezi presim ta zgjidhim këtë çështje”, theksoi presisdenti turk. Ai thotë se “detyrë politike dhe humanitare” e shtetit të tij është ta zgjidhë këtë rast.
Autoritetet turke dhe saudite japin deklarata kundërthënëse. Ankaraja pohon se ai nuk ka dalë nga konsullata, ndërsa Riadi thotë se ditën e njejtë e ka braktisur objektin.
Një burim nga policia turke për mediumet perëndimore deklaroi se Kashogi është vrarë në Konsullatën e shtetit të tij në Stamboll.
“Policia në konkludimet e veta të para konsideron se gazetari është vrarë në Konsullatë nga grupi që ka ardhur në Stamboll me qëllim të tillë dhe është kthyer ditën e njejtë”, theksoi dje ai burim.
Një përfaqësues zyrtar turk sot deklaroi se përfaqësuesi i Arabisë Saudite në Ankara për herë të dytë është thirrur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se diplomatët turq kanë kërkuar të jetë “në koordinim të plotë” lidhur me këtë rast.
Kashogi, i cili jetonte në ekzil në SHBA, u zhduk në Stamboll të martën pas vizitës në konsullatë, ku ka qenë për shkak të dokumenteve të cilat i nevojiteshin për të lidhur kurorë, sqaroi e fejuara e tij.
Kashogi është gazetar shumëvjeçar, pjesë e redaksisë së “Uashington post”, i njohur për tekstet kritike ndaj princit saudit. Në tekstet e tij ai e kritikoi edhe Arabinë Saudite për shkak të luftës me Jemenin dhe kontestin me Kanadanë. Ai është i njohur për intervistat me ish-liderin e Al Kaedës, Osama bin Laden, dhe udhëtimet me të në periudhën prej vitit 1987 deri në vitin 1995. Në fillim të viteve të 90-ta ka tentuar ta bindë Bin Ladenin që të pajtohet me familjen mbretërore të Arabisë Saudite dhe të kthehet në atdheun e tij, por ai ka refuzuar.