Ankara, 15 mars – Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan vlerësoi se “ndërtimi i bazave amerikane në Siri” paralajmëron se është e mundur Luftë e tretë botërore.
“Ndërtuan 20 baza në Siri. Pse i ndërtuan? Gjëja e parë që më bie ndërmend është për shkak të Turqisë dhe Iranit. Me siguri jo për shkak të Rusisë. Kjo në fakt nuk do të thotë Luftë e tretë botërore. Do të jemi të gatshëm për gjithçka”, deklaroi Erdogan.
Ai pyeti se çfarë pune ka SHBA-ja në Siri, “Mos vallë dëshiron që Amerika të ketë kufi këtu”, shtoi Erdogan.
Shefi i shtetit turk e ka kritikuar koalicionin ndërkombëtar, të udhëhequr nga SHBA-ja, duke e akuzuar se vepron së bashku me Forcat për mbrojtje të popullit, të cilat Ankaraja i konsideron si degë siriane të Partisë Punëtore Kurde separatiste (PPK), e cila nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar lufton për autonominë e kurdëve në Turqi. PPK gjendet në listën e organizatave terroriste të Turqisë, SHBA-së dhe BE-së.
“Në vendet ku ato dërguan aq shumë armë dhe municion, ne së bashku me Gjysmëhënën tonë të kuqe dhe Drejtorinë për menaxhim me krizat dhe gjendjet e jashtëzakonshme (AFAD) dërgojmë ndihmë humanitare. Ky është dallimi mes nesh”, theksoi Erdogan.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së u keqësuan pasi armata turke së bashku me grupet kryengritëse siriane që e kanë përkrahjen e Ankarasë, më 20 janar në rajonin e Afrinit filluan operacion ushtarak kundër Forcave për mbrojtje të popullit.
Sipas Ankarasë, qëllimi i këtij operacioni, të quajtur “Dega e ullirit”, është dëbimi i luftëtarëve të Forcave për mbrojtje të popullit nga rajonet përgjatë kufirit sirian drejt Turqisë.