Stamboll, 24 janar – Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar në Libi të mos i përsërisë gabimet nga Siria, transmetoi Agjencia Anadollu.
Erdogani këtë e tha në ceremoninë e hapjes së objekteve të reja të Universitetit turko-gjerman në Stamboll, në të cilën ishte së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Me rastin e bisedës së tij të ardhshme me Merkelin, presidenti turk tha se tema për Libinë, si dhe çështjet tjera rajonale, do të vendosen në tryezën e shqyrtimit, paralelisht me marrëdhëniet dypalëshe turko-gjermane.
Lideri turk theksoi se kaosi në Libi do të ndikojë në gjithë rajonin e Mesdheut.
Sipas tij, përpjekjet për të arritur një zgjidhje paqësore në Libi duhet të përshpejtohen në mënyrë që grupet terroriste si Shteti Islamik dhe Al Kaeda të mos mblidhen përsëri.
“Ne do të vazhdojmë të jemi me vëllezërit tanë libian në këto periudha të vështira në emër të paqes, qetësisë dhe të ardhmes”, tha Erdogan.
Presidenti turk shprehu shpresë që Universiteti turko-gjerman në Stamboll do jetë një simbol i miqësisë midis dy vendeve, ashtu si një shekull e gjysmë që ka gjimnaz gjerman në qytet.