Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi se nuk ekzistojnë probleme lidhur me blerjen e planifikuar të sistemeve raketore ruse “tokë-ajër” S-400 dhe se ka biseduar me Rusinë edhe për sistem S-500. Presidenti turk theksoi se nuk do të ketë prodhimtari të përbashkët në fazën e parë të furnizimit të S-400, por në fazën e dytë, kjo mund të ndryshojë.
“Nëse jep Zoti, do të ndërmarrim hapa drejt prodhimtarisë së përbashkët”, deklaroi Erdogan. Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushogllu, në fillim të javës, në intervistë për “Aksam” tha se Ankaraja do të mund të heq dorë nga blerja e S-400, nëse nuk ekziston marrëveshje për prodhimtari të përbashkët. “Presidenti rus Vlladimir Putin na tha se mund të ndërmarrim hapa për prodhimtari të përbashkët, teknologjia është kyçe”, deklaroi Çavushogllu, duke shtuar se Turqia, “në qoftë se qëndrimi rus do të jetë negativ, mund të arrihet marrëveshje me vend tjetër”.