Erdogan bisedë telefonike me Trump

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve presidenciale, në telefonatën mes Erdogan dhe Trump, krahas marrëdhënieve dypalëshe, janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në Siri.

Erdogan ka thënë se ka mirëpritur vendimin për tërheqje nga Siria dhe ka rikujtuar se në këtë drejtim, Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje për SHBA-në si aleat i saj në NATO.

Dy liderët, të cilët kanë vënë theksin në rëndësinë e komunikimit të shëndoshë për opinionin publik, kanë potencuar nevojën për përmbushjen e udhërrëfyesit për Munbixhin të dakorduar mes dy vendeve në mënyrë që të mos krijohet boshllëk autoriteti në rajon, si dhe nevojën që të mos u jepet mundësi elementeve që kërkojnë të pengojnë zbatimin e vendimit të tërheqjes.

Erdogan dhe Trump kanë diskutuar edhe idenë për formimin e një zone të sigurtë të pastruar nga terrorizmi në pjesën veriore të Sirisë, bazuar në integritetin territorial të vendit.

Presidenti i Turqisë ka nënvizuar se vendi i tij nuk ka asnjë problem me kurdët dhe ka deklaruar se qëllimi i Ankarasë është t’i luftojë organizatat terroriste si DEASH, PKK dhe zgjatimet e PKK-së në Siri, të cilat paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare.

Dy presidentët gjithashtu ranë dakord të avancojnë marrëdhëniet ekonomike bilaterale.

Ndryshe, Turqia ka paralajmëruar një operacion antiterrorist në Siri kundër YPG/PKK-së, pas dy operacioneve paraprake të suksesshme, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.
Gjithashtu, Ankaraja ka kritikuar bashkëpunimin e SHBA-së me YPG/PKK-në terroriste për të luftuar DEASH-in, duke e cilësuar si të pakuptimtë përdorimin e një grupi terrorist për të luftuar një tjetër.

Në qershor të vitit të kaluar, dy vendet arritën një marrëveshje në lidhje me Munbixhin, i cili synonte largimin e terroristëve të YPG/PKK-së nga rajoni verior i Sirisë.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, ndërsa YPG/PYD është dega e saj siriane.