Bruksel, 8 dhjetor – Partia Popullore Evropiane, EPP, nuk ka koment për bllokadën e partisë në pushtet në Bullgari, e cila është edhe anëtare e kësaj familjeje politike në BE, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Pasi të gjitha partitë më të madhe politike në Parlamentin Evropian bënë thirrje që të zhbllokohet situata në Këshillin e BE-së dhe Bullgaria ta heqë veton për kornizën e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, MIA kërkoi reagim edhe nga Partia Popullore Evropiane, e vetmja e cila deri më tani ka heshtur për këtë temë.
Në Partinë Popullore Evropiane marrin pjesë partia në pushtet GERB e kryeministrit bullgar Bojko Borisov, si dhe ajo maqedonase VMRO-DPMNE.
Në pyetjen se cili është qëndrimi i EPP, partisë më të madhe politike në BE dhe me ndikim më të madh në të gjitha institucionet e BE-së, për bllokadën në bisedimet me Maqedoninë e Veriut, nga shërbimi i tyre për informim shkurt u përgjigjën “nuk kemi koment”.
Në Partinë Popullore Evropiane merr pjesë partia e kancelares gjermane Angella Merkel, prej ku vjen edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.
Në brifingun e sotëm të rregullt të Komisionit Evropian gjithashtu ishte kërkuar qëndrim nga ky institucion për bllokadën në Këshillin e BE-së, për çka nuk mund të përparojë as Shqipëria, ndërsa tani për tani nuk planifikohet as miratimi i konkludimeve për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësja Ana Pisonero përsëriti se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar në perspektivën evropiane për rajonin dhe se për këtë çështje duhet pajtim i vendeve anëtare të Unionit. Ajo përkujtoi se Komisioni e mbështet rajonin në luftën kundër pandemisë së Kovid-19 si dhe me propozimin për metodologjinë e re për bisedime dhe planin investues për rajonin.
“Do të dëshironim që konferenca e parë ndërqeveritare të thirret sa më shpejtë që është e mundur, e dimë se ku gjendemi dhe Këshilli duhet të pajtohet për kornizat negociuese”, tha Pisonero.