[adning id="476476"]

Epoka e terrorizmit nuk ka mbaruar! Ka filluar një fazë e re, më e rrezikshme

255

Në vitin 1989, kur një superfuqi shumë e ndryshme u tërhoq e mundur nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara e mbyllën ambasadën e tyre në Kabul. Për 12 vjet me radhë ne bëmë të pamundurën për ta injoruar Afganistanin, derisa ngjarjet e tmerrshme të 11 Shtatorit na detyruan më në fund të zgjoheshim nga iluzioni që kishim krijuar. Tani, qeveritë perëndimore po tundohen ta injorojnë sërish Afganistanin. Ky do të ishte një gabim shumë i madh

Nga Ali SOUFAN

Të dielën e shkuar, administrata Bajden dërgoi në vizita të ndara në rajonin e Gjirit Persik si Sekretarin e Shtetit Entoni Blinken ashtu edhe Sekretarin e Mbrojtjes Lloid Ostin. Sipas mediave, qëllimi ishte të sigurojnë aleatët atje se ndonëse presidenti Bajden i tërhoqi forcat amerikane nga Afganistani,dhe deklaroi se dëshiron të përqendrohet më shumë tek kërcënimet e sigurisë që vijnë nga Kina dhe Rusia, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për ta luftuar ekstremizmin terrorist. Duket se evakuimi kaotik nga Afganistani para 20 vjetorit të ngjarjeve të11 Shtatorit dërgoi mesazhin e kundërt: se “lufta kundër terrorizmit” është një kapitull i mbyllur në historinë e SHBA-së. Në fakt epoka e terrorizmit nuk ka mbaruar. Përkundrazi, ka nisur një fazë e re, më e rrezikshme.

Pavarësisht protestave të talebanëve për të kundërtën, Al-Kaeda mbetet e shpërndarë me militantët e saj që gjenden kudo në Afganistan. Ata i janë betuar dikur nga Osama bin Laden, dhe më vonë Ajman Al-Zauahirit të vazhdojnë të luftojnë për kauzën e tyre.

Në majin e këtij viti, një grup monitorues i OKB-së tha se “është e vështirë, në mos e pamundur, ta ndash Al-Kaedën nga aleatët e saj talebanë”. Al-Kaeda nuk është grupimi i vetëm terrorist me një prani në Afganistan. Më e rëndësishme për momentin është dega lokale e Shtetit Islamik, ISIS-Khorasan, ose ISIS-K, një kërcënim vdekjeprurës, siç u pa edhe nga sulmet e fundit të tmerrshme në aeroportin e Kabulit muajin e kaluar. Afganistani është gati të bëhet sërish një bazë kryesore e terrorizmit. Edhe para se talebanët të merrnin plotësisht pushtetin, grupe të ndryshme ekstremiste po drejtonin atje kampe stërvitore, siç ndodhte para sulmeve të11 Shtatorit. Raporti i OKB-së i majit të këtij viti,e vlerësoi nga 8 në 10 mijë numrin e përgjithshëm të luftëtarëve të huaj në këtë vend, përfshirë grupet nga bota arabe, Azia Qendrore dhe zonat ujgure të Kinës Perëndimore.

Pas tërheqjes së SHBA-së, monitorimi që organizata ime ka bërë mbi komunikimet islamike në mediat sociale dhe chat-room e ndryshme, tregoi se grupet ekstremiste nga Siria dhe Azia Juglindore filluan të dërgojnë rekrutët e mundshëm në Afganistan. Bajden flet për një përdorim të vazhdueshëm të dronëve dhe raketave lundruese për të luftuar bazat terroriste në Afganistan. Por në vitin 2015, çmontimi i një kampi të madh stërvitor të Al-Kaedës në Afganistan, pranë kufirit me Pakistanin, kërkoi plot 63 sulme ajrore të koalicionit dhe një forcë tokësore prej 200 trupash amerikane.

Që të shkatërrohen bazat e terroristëve sot, duhet që qielli afgan të popullohet me pajisjet ushtarake amerikane. Megjithatë tërheqja amerikane nga Afganistani, nuk e ka rivendosur thjesht orën më10 Shtator 2001, kur talebanët po sundojnë sërish Afganistanin. Sot gjërat janë ndryshe në një aspekt jetik:Afganistani është sot larg së qeni i vetmi vend në rajon që kontrollohet nga grupet ekstremiste. Pjesë të mëdha të Libisë, Somalisë, Jemenit, Sirisë, Libanit dhe Irakut, në një masë më të madhe apo më të vogël, qeverisen nga milicitë jo-shtetërore, duke krijuar një hark paqëndrueshmërie nga Afrika Veriore në Azinë Jugore. Këto grupe punojnë me agjenda të ndryshme (shumë prej tyre, edhe pse jo të gjitha, marrin urdhra nga Forcat Quds të Iranit), por ndajnë një gjë të përbashkët: anti-amerikanizmin virulent. Për më tepër, siç qëndrojnë punët për momentin, Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë shumë pak. Sepse ndërsa këto grupe po e zgjerojnë fuqinë e tyre, Amerika duket se është në tërheqje. Gjatë dekadës së fundit apo diçka më shumë, Shtetet e Bashkuara kanë reduktuar sistematikisht ndikimin e vet në shumicën e vatrave më të nxehta të rajonit. Ambasadat amerikane në disa vende, përfshirë Libinë, Jemenin, Sirinë dhe tani Afganistanin, janë mbyllur. Në mënyrë demonstrative dhe poshtëruese, SHBA nuk mund t`i kontrollojë dot aleatët e tyre formalë në Turqi, Arabinë Saudite dhe Pakistan.

Dhe në Irak, me gjithë gjakun e derdhur dhe shumat e mëdha të parave të harxhuara, ne jemi të detyruar që t’i tolerojmë udhëheqësit politikë irakianë, që janë anëtarë të milicive të kontrolluara nga Irani.

Me gjithë dëshirën e deklaruar të administratës Bajden për t’u fokusuar në kundërshtimin e kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga Rusia dhe Kina, tërheqja nga Afganistani duket se vetëm i ka forcuar këta autoritarë. Shefi i diplomacisë britanike Dominik Rab deklaroi kohët e fundit se për të frenuar talebanët “ne do të duhet të bashkëpunojmë me vendet që kanë një ndikim potencialisht të moderuar, si Rusia dhe Kina, sado e pakëndshme që mund të jetë kjo”. Për Shtetet e Bashkuara, pas20 vjetësh sakrifica dhe triliona dollarë të shpenzuara, më shumë se sa e pakëndshme, kjo është një tragjedi. Ilaçi i vetëm në këtë situatë është rilidhja urgjente e aleancave në rajon. Dhe jo vetëm në aspektin ushtarak. Sulmet e Forcave Speciale dhe ato me dronë, do të vazhdojnë të jenë thelbësore në luftën kundër terrorizmit. Por dështimi i SHBA-së në Afganistan, e bëri më se të qartë se për këtë problem nuk ka një zgjidhje ekskluzivisht ushtarake.

Në “manualin” e anti-terrorizmin ekzistojnë ende disa mundësi të pashfrytëzuara, që mund të përdoren paralelisht me kërbaçin: diplomacia, ndihma për zhvillim ekonomik, shkëmbimet në fushën e inteligjencës, zbatimi i ligjit, tregtia. Ne duhet t’i përdorim ato, kudo që të jetë e mundur, jo vetëm për të ndihmuar aleatët amerikanë, por edhe si pjesë e nismave diplomatike gjithëpërfshirëse,të cilat promovojnë stabilitet dhe që çojnë përpara zgjidhje politike ndaj konflikteve të ndryshme që e destabilizojnë rajonin. Në vitin 1989, kur një superfuqi shumë e ndryshme u tërhoq e mundur nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara e mbyllën ambasadën e tyre në Kabul. Për 12 vjet me radhë ne bëmë të pamundurën për ta injoruar Afganistanin, derisa ngjarjet e tmerrshme të 11 Shtatorit na detyruan më në fund të zgjoheshim nga iluzioni që kishim krijuar. Tani, qeveritë perëndimore po tundohen ta injorojnë sërish Afganistanin. Ky do të ishte një gabim shumë i madh.

(Ali Soufan, ish agjent i FBI-së kundër terrorizmit, sot është konsulent privat i sigurisë, dhe autor i librit “Anatomia e terrorizmit: Nga vdekja e Bin Ladenit tek ngritja e Shtetit Islamik”)