Është me rëndësi të thuhet se këto bisedime zhvilloheshin në periudhën kur udhëheqja komuniste jugosllave, zbatonte një politikë të dhunshme ndaj popullsisë shqiptare, e cila për synim pati shpërnguljen e tyre për në Turqi. Tërë kjo gjendje, fare nuk e brengoste Hoxhën dhe klikën e tij komuniste, të cilët tashmë udhëheqjen komuniste jugosllave, nuk e konsideronin si “trockiste”, apo dorë e zgjatur e “imperializmit amerikan”, por si një udhëheqje socialiste, ndërsa popujt e saj si “popuj vëllezër”
Nga Qerim LITA
Në pjesën e dytë të muajit maj të vitit 1955, në Beograd filluan bisedimet midis udhëheqjes komuniste sovjetike dhe asaj jugosllave, për normalizimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike të cilat siç dihej qenë prishur pas shpalljes së Informbyrosë (1 korrik 1948). Këto bisedime u përcollën me një kujdes të veçantë nga ana e udhëheqjes komuniste shqiptare, e cila ishte dorë e zgjatur, përkatësisht satelite e udhëheqjes komuniste sovjetike. Këtë e shohim nga deklarata e Enver Hoxhës, dhënë në mbledhjen e Kuvendit Popullor të mbajtur më datë 28 maj 1955, ku ndër të tjerave ai shprehet:
“…Jemi të bindur se bisedimet të cilat këtyre ditëve po zhvillohen në Beograd midis udhëheqjes sovjetike dhe asaj jugosllave do të kontribuoj për përforcimin edhe më të madh të miqësisë së popujve të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve tona të demokracisë popullore me popujtë vëllezër të Jugosllavisë dhe do të jetë edhe një faktor tjetër për përforcimin e luftës për mbrojtjen e paqes në Europë e Botë. Populli shqiptar vazhdimisht ka aspiruar dhe aspiron miqësi të sinqertë ndaj popujve vëllezër jugosllav me të cilët së bashku ka luftuar dhe ka derdh gjak në territorin jugosllav… Populli shqiptar, Partia e Punës dhe Qeveria e Republikës e përshëndet shkuarjen e delegacionit sovjetik në Beograd dhe solidarizohet në tërësi me qëllimet e larta të PK-së dhe Qeverisë sovjetike…”.
Është me rëndësi të thuhet se këto bisedime zhvilloheshin në periudhën kur udhëheqja komuniste jugosllave, zbatonte një politikë të dhunshme ndaj popullsisë shqiptare, e cila për synim pati shpërnguljen e tyre për në Turqi. Tërë kjo gjendje, fare nuk e brengoste Hoxhën dhe klikën e tij komuniste, të cilët tashmë udhëheqjen komuniste jugosllave, nuk e konsideronin si “trockiste”, apo dorë e zgjatur e “imperializmit amerikan”, por si një udhëheqje socialiste, ndërsa popujt e saj si “popuj vëllezër”. Kjo shihet edhe në deklaratën që E. Hoxha, e dha më datë 5 qershor 1955, me rastin e nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të nënshkruar më 2 qershor 1955 në Beograd midis dy delegacioneve përkatëse:
“…Në mesin e vëllezërve – shprehet Hoxha – mund të ndodhin moskuptime dhe kontestime mirëpo vëllezërit më herët apo më vonë do ta gjejnë rrugën e pajtimit. Një fatkeqësi e tillë ndodhi në mesin e popujve të vendeve socialiste dhe vëllezërve jugosllav. Mosmarrëveshjet zgjatën disa vite dhe kjo i vështirësoi marrëdhëniet tona. Nga e tërë kjo mund të përfitonin vetëm imperialistët dhe shërbëtorët e tyre të cilët gjithmonë përpiqen t’i robërojnë popujt tanë të lirë e të pavarur. Mirëpo, një situatë e tillë ishte e domosdoshme të përfundoj, që edhe ndodhi pas negociatave të suksesshme sovjetiko-jugosllave…Deklarata e cila u nënshkrua më 2 qershor të vitit 1955 në Beograd përbën faktin e rëndësishëm në historinë e popujve tanë për normalizimin e marrëdhënieve me popujt e Jugosllavisë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore midis popujve tanë me popujt e Jugosllavisë tashmë janë shpallur dhe popujt tanë, qeveritë dhe partitë tona janë të bindura se kjo miqësi do të përforcohet edhe më tepër. Në emrin e këtij qëllimi ne do të punojmë me vullnetin sa më të mirë…”.
Se E. Hoxha, asaj kohe popujt jugosllav i quante “vëllezër”, posedojmë një numër të madh të materialeve arkivore, që me këtë rast po e shpalosim dokumentin, përkatësisht Telegramin me nr. 541 të datës 28 shtator 1955, përmes së cilit i deleguari i Legatës jugosllave në Tiranë, Predrag Ajtiq, njoftonte Sekretariatin Federativ për Punë të Jashtme të Jugosllavisë, për fjalimin e E. Hoxhës, të mbajtur në plenumin e Frontit Popullor. Dokumenti, gjendet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi KQ i LKJ-së (507). I njëjti botohet i plotë dhe për herë të parë:
“TELEGRAM
Tiranë
Numër 541
- IX. 1955
SEKRETARIATIT PËR PUNË TË JASHTME
Në referatin e plenumit të Këshillit të përhershëm të Frontit Demokratik, Hoxha rreth Jugosllavisë deklaroi me sa më poshtë vijon:
“Populli ynë gëzohet kur sheh se mjegullat e zeza, të cilat e patën errësuar miqësinë tonë me popujt vëllezër të Jugosllavisë, u tërhoqën përgjithmonë. Popujt e Jugosllavisë për ne kanë qenë ishin dhe janë të mirë. Populli jugosllav, një popull i guximshëm dhe fisnor, në vazhdimësi e ka mbështet atë që është përparimtare dhe e re. Ne së bashku me vëllezërit jugosllav kemi luftuar për liri, pavarësi, kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit. Ne së bashku e kemi arritur lirinë dhe të drejtën për të jetuar në miqësi, në liri, të pavarur dhe sovran. Popujt tanë i lidhte miqësia e ngushtë, të mbuluar me gjak, me popujt çlirimtar sovjetik dhe të vendeve me demokraci popullore. Ne bashkërisht kemi shkuar krah për krahu përderisa armiqtë e socializmit dhe agjentët e imperializmit Beri dhe Abakunov, fare nuk e arritën qëllimin e tyre të paramenduar. Miqësia jonë me popujt e Jugosllavisë me shokët komunistë jugosllav qe errësuar dhe cenuar në mënyrë serioze. Brenda disa viteve me radhë ndodhën gjëra të rënda, janë bërë gabime të pafalshme, akuza të pavërteta si nga njëra palë po ashtu edhe nga tjetra. Mirëpo, tetëvjeçarin e kaluara, i cili neve na ndau, i cili neve na gjakosi njëri me tjetrin, po e varrosim, me bindje të plotë, se ajo asnjëherë nuk do të kthehet. Linja përmes së cilës shkon partia jonë në lidhje me përforcimin e miqësisë me popujt jugosllav është e drejtë dhe gëzon mbështetjen e popullit mbarë. Ne me Jugosllavinë kemi marrëdhënie ekonomike. Këto marrëdhënie në të ardhmen do të përforcohen edhe më shumë. Ne do të bëjmë shkëmbimin e delegacioneve kulturore, sportive e të tjera dhe do të ndërmarrim gjithçka që e përforcon miqësinë. Ne thellësisht jemi të bindur se çështjet do të zhvillohen në frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit të sinqertë me vëllezërit dhe shokët jugosllav, ne njëri me tjetrin do të arrijmë marrëveshje të mirë sepse tash më nuk na ndanë asgjë. Tërë atë që na lidhë do ta zhvillojmë sa më shumë që është e mundur në rrugën e miqësisë, si dy shtete të lira e sovrane, të cilët luftojnë për ndërtimin e socializmit dhe rruajtjen e paqes”.
Në referat qëndrimi ndaj Jugosllavisë pati vendin e duhur menjëherë pas BRSS-së. Nga ana e tyre për herë të parë thuhet publikisht se Jugosllavia është vend socialist dhe se udhëheqja e saj është komuniste. Kjo do të jetë e dobishme për afirmimin tonë dhe mundësinë për të punuar. Mirëpo, në këndvështrimin e përgjegjësisë për marrëdhëniet e deritanishme faji u përshkruhet të dy palëve.
Nisur nga ajo se duhet kapërcyer përtej së kaluarës dhe se “tash më neve asgjë nuk na ndanë”, më pas duke vër në pah gatishmërinë dhe arsyeshmërinë e linjës së tyre në lidhje me ne, zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në mënyrë perfide kushtëzohet me “frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë” nga ana jonë. Kjo neve na duket si përpjekje të një presioni ndaj nesh për shkak ndryshimit ndaj qëndrimit të deritanishëm ndaj tyre. Ajtiq”. (koha.mk)