Enjela Qema është këngëtarja që di të hedhë hapa të sigurt dhe të plotë në muzikë. Sapo ka sjellë një klip me titull “Peng në zemër” me tekst dhe produksion të Petro Xhorit, i cili duket se i ka gjetur telat stilit dhe mënyrës së të kënduarit së Enjelës. Enjela vjen në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA me një rrëfimi interesant, të çiltër dhe mjaft të këndshëm, gjë që e bën edhe më të dashur në sytë dhe zemrat e publikut…!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Enjela, me ç’hapa ka ecur karriera jote gjatë këtyre viteve?
Me hapa të ngadaltë, por të sigurt dhe të qëndrueshëm. Koha e ka treguar këtë apo jo?
KOHA: Cilat kanë qenë pritshmëritë lidhur me këngën “Peng në zemër”, me tekst dhe produksion të Petro Xhorit?
Kënga është pritur mjaft mirë, madje edhe më mirë se ç’e prisja. Dëgjoj fjalë të mira gjithandej dhe më bëhet qejfi shumë, ndihem shumë e vlerësuar ndoshta sepse është një produksion i goditur, një tekst i bukur është magji..!
KOHA: Është mirë t’i mungosh publikut për pak kohë apo kjo sjell pasoja më pas?
Mungesa në publik të kushton dhe kjo jo vetëm mua, por besoj çdo artisti. Pastaj, nuk thonë kot “larg syrit, larg zemrës”. Ndodh edhe me publikun kjo dhe mos u habit nëse një ditë pas një mungese të gjatë të harrohesh. Koherenca është mjaft pozitive në muzikë. (Buzëqesh)
KOHA: Ç’vend zë ti në këtë hapësirë muzikore?
Atë që meritoj, një vend të respektueshëm. (buzëqesh)
KOHA: Çfarë i ngop shijet e tua muzikore?
Çdo material që është i bukur, pa marrë parasysh cilit zhanër i përket apo cili këngëtar e këndon. Nëse është realizuar bukur, meriton të pëlqehet dhe kaq.
KOHA: Ka vende ku zgjedh të mos këndosh? Cilat do të rendisje si arsye?
Mungesën e kushteve teknike. Është diçka pa të cilën një këngëtar nuk bën dot.
KOHA: Për çfarë e veçojnë Enjelën në shoqëri?
Duhet të pyesim shoqërinë. Ajo do të jepte një përgjigje më të saktë për këtë, po ta thosha unë do thyeja modestinë (buzëqesh)
KOHA: Çfarë pëlqen më shumë Enjela te Enjela?
Enjela te Enjela pëlqen më shumë humanitetin, sinqeritetin dhe pse jo edhe stilin.
KOHA: Cilat janë ato cilësi që mendon se e bëjnë një femër tërheqëse?
Thjeshtësia, zgjuarsia, paraqitja e këndshme!
KOHA: Hera e fundit që të është dukur vetja e bukur para pasqyrës?
Sot. (qesh)
KOHA: Cila është ajo gjë që nuk do ta bëje kurrë, pavarësisht gjithçkaje?
Tradhtia.
KOHA: Po ajo prej së cilës nuk do të hiqje dorë?
Familja.
KOHA: Ka ndonjë gjë në jetën tënde artistike, për të cilën je penduar apo gjithçka është në vendin e vet?
Nuk mendoj që ka, mendoj se prandaj i hedh hapat e menduar.
KOHA: Një bionde kaq e bukur për çfarë do të hiqte dorë nga të qenit bionde?
Nëse do të mërzitesha nga të qenit bionde, do t’i ndryshoja flokët patjetër por ja që ndihem shumë rehat kështu…!(qesh)
KOHA: Kur je e lumtur, çfarë të pëlqen të bësh?
Ta ndaj lumturinë me njerëzit më të afërt.
KOHA: Ka ndonjë projekt të afërm për të cilin do të doje të flisnim në këtë intervistë?
Mendoj se shumë shpejt do flasim edhe për këtë pjesë por për momentin le të shijojmë “Peng në zemër”
KOHA: Suksese!
Faleminderit dhe një përshëndetje për të gjithë ata që më kanë mbështetur, vazhdojnë e japin suportin e tyre dhe të gjithë lexuesit. Enjela, ju ka shumë xhan! (buzëqesh)