Enisa u vlerësua nga disa producentë shumë të njohur në Nju Jork, me të cilët ka nisur të punojë seriozisht, pas suksesit në rrjetet sociale, ku ndjekësit e saj janë të shumtë. Fama e këngëtares së të ardhmes ka ardhur nga Nju Jorku edhe në Tiranë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
E talentuar, e bukur dhe me një zë shumë të veçantë, Enisa Nikaj është duke ngjitur shkallët e suksesit me hapa të sigurt. Bukuroshja shqiptare, me origjinë nga Mali i Zi, e lindur në Brooklyn, ka nisur të këndojë që në fëmijëri. Emri i saj u bë i njohur për të gjithë nëpërmjet disa cover-ave të këngëve të njohura që Enisa i publikonte në Instagram dhe kanalin e vet në YouTube. Menjëherë tërhoqi vëmendje dhe u cilësua si një këngëtare me stil, me një zë potent që të imponohet dhe që të kujton të famshmen Amy Whinehouse. Enisa u vlerësua nga disa producentë shumë të njohur në Nju Jork, me të cilët ka nisur të punojë seriozisht, pas suksesit në rrjetet sociale, ku ndjekësit e saj janë të shumtë. Fama e këngëtares së të ardhmes ka ardhur nga Nju Jorku edhe në Tiranë. Ajo ka gjetur shumë admirues të muzikës së saj, në tokën e origjinës. Shumë artistë shqiptarë, kanë ndarë në rrjetet e tyre sociale, video të Enisës, duke i dhënë kurajë yllit të ri shqiptar drejt rrugës e vështirë të muzikës dhe suksesit. Ajo ka edhe një këngë tërësisht të sajën që e ka publikuar me titull “Burn the bridge”, një këngë e cila është shkruar nga vetë Enisa.
KOHA: Si fillim, e ndjen veten më shumë amerikane apo shqiptare?
Jam krenare të jem amerikane e shqiptare bashkë. Kudo që ndodhem në SHBA, ndihem krenare t’u them njerëzve për prejardhjen time dhe t’i informoj rreth kulturës sime.
KOHA: Keni lindur në Brooklyn. Si ra dakord familja jote me zgjedhjen për t’u shpërngulur në SHBA?
Im atë vendosi të vijë në SHBA dhe të nisë një jetë këtu në moshën 25-vjeçare. Më pas, ime më erdhi në SHBA për t’u martuar me tim atë. Të dy donin që ne të kishim mundësi më të mëdha dhe të merrnim një edukim më të madh.
KOHA: Jeni një provë e gjallë që vajzat shqiptare janë të bukura. Përveç pamjes, është e kënduara në gjenet tuaja?
Në familjen time askush nuk këndon apo luan ndonjë instrument. Unë jam e vetmja që synon muzikën. Dy vëllezërit e mi merren me basketboll.
KOHA: Je rritur me të kënduarin, apo është thjesht diçka që lindi duke u rritur në adoleshencën tënde të vonë?
Më pëlqente shumë të ndiqja këngëtaret tek performonin në TV. Që kur kam qenë 3 vjeçe më ka pëlqyer të jem këngëtare. Mami im ka kaseta të miat duke kënduar. Kam qenë gjithmonë në korin e shkollës, shfaqje dhe programe muzikore që nga shkolla fillore e deri në gjimnaz. Gjithmonë kisha rolet kryesore. Roli im i parë qe Doroti nga “Magjistari i Oz” kur isha 7 vjeç. Pasi mbarova gjimnazin, fillova ta kthej pasionin tim për një karrierë muzikore.
KOHA: Janë vërejtur ngjashmëri mes teje dhe Amy Winehouse. Është ajo pjesë e preferencave të tua muzikore?
Ju falënderoj! Çdo herë kur dikush ma thotë këtë, e marr si një kompliment të madh. Mendoj që ajo ishte zëri më i mirë i gjeneratës. Është padyshim një nga influencat e mia muzikore. Mënyra si ajo shkruante tekste të gjalla e aq të thella, bashkë me thellësinë në zërin e saj, më inspirojnë sot e kësaj dite. Ajo ishte fantastike.