Është moment i volitshëm që të bihet në ujdi me cilëndo parti maqedonase për ta futur “me emër e mbiemër” gjuhën shqipe në Kushtetutë dhe të hiqet kategorizimi i 20 përqindëshit, që s’paraqet ndonjë flijesë e madhe, duhet të eliminohen keqpërdorimet në punësimet në administratë, si dhe të tejkalohet gjyqësia selektive… Çështjet e kursit gjeostrategjik, as që duhet diskutuar
Nga Daut DAUTI
Po të kisha qenë politikan, në një ditë si kjo, nuk do të kisha dashur të jem as në lëkurën e Zaevit, as të Alisë e as të Mickovskit. I pari duhet të heqë dorë prej qëllimit të deklaruar aq me afsh për ta çuar Ahmetin në opozitë, edhe pse lideri i BDI-së i pat thënë se votuesit janë ata që vendosin për këtë…Por, në një ditë si kjo, pas zgjedhjeve, as AliAhmeti nuk do të doja të isha. Sepse, të vazhdosh rrugës për ta realizuar (“pse jo”) ëndrrën e kryeministrit shqiptar, për herë të parë në gjithë historinë e Maqedonisë së Veriut, çon në dy rrugë: o t’i detyrosh Zaevin e Mickovskin të pranojnë kushtin, ose t’ua shtosh atyre inatin dhe të këmbejnë mes vete deputetë për ta penguar kryeministrin shqiptar. Këso paralajmërimesh ka pasur. Ndoshta vetëm VMRO-ja do të ishte subjekti i cili do të duhej të bënte një flijesë të pazakontë për t’u kthyer në pushtet.
ENIGMA MË E MADHE ËSHTË SI TË DILET NGA KY PAT-POZICION?
A thua mund të nisë gjithçka me një kërkim falje të Zaevit ndaj shqiptarëve që AliAhmeti ia ka sugjeruar për atë incizimin “shqiptarët nuk vlejnë pesë pare”. Kjo i kushtoi Zaevit jo pak vota shqiptare, si një “autobombë” nga ato “bombat” me biseda private që i emetonte që “El Çeka”. E keqja ndodhi se El Çeka i “shpërtheu” “bombat” para kohe, kurse kjo e VMRO-së për Zaevin, ndodhi një kohë pa kohë për të. Për të bërë qeveri, Zaevi më së lehti e ka ta marrë BDI-në dhe e siguron “Hoti – qeverinë” e Maqedonisë së Veriut, me vetëm 61 deputetë, dhe si në atë lojën e “xhamlive” të luajë “komu ide”(si luhej dikur në lagjet e pa urbanizuara të Shkupit), që përkthyer ndryshe do të ishte “ku rrafsha mos u vrafsha”. Pra, të bëjmë një qeveri me shumicë minimale, pa le të shkojë sa të shkojë. Mangësia e këtij opsioni është që së pari vetvetes, e pastaj edhe anëtarësisë LSDM-së, duhet t’ia shpjegojë pse i acaroi marrëdhëniet me BDI-në me të cilën në zgjedhje hynë duke qenë në të njëjtën qeveri? Mos vallë Ali Ahmeti, apo BDI-ja ia kishte bërë të këqijat më të mëdha të qeverisë së tij, mos vallë BDI-ja i kishte ndarë tenderët 30 milionëshe ndonjë firme të themeluar vetëm një muaj para se ta marrë tenderin(siç u shkrua për raste të këtilla, por aktorë nuk ishin ata të BDI-së), mos vallë ministrat e BDI-së u kishin ndarë beneficione qeveritare firmave të veta,(siç u shkrua,po ku s’ishin aktorë ata të BDI-së), sikur BDI-ja të ishte involvuar në Lidhjen Ndërkombëtare të Boki 13-shit,sikur Boki 13 të kishte bërë “allashvereshe” e të ishte fotografuar me funksionarë të BDI-së e jo të LSDM-së, sikur BDI-ja të kishte punuar kundër zgjedhjes së Pendarovskit ose Shilegovit, fundja, sikur mëkati më i madh i BDI-së të ishte që në vend të VMRO-së të hyjë në qeveri me LSDM-në, partinë jofituese të zgjedhjeve 2016…Të kalosh përtej të gjitha këtyre diskurseve emotive, siç do të thoshte një analist, çfarë nga Zaevi dhe shokët e tij e pamë në fushatë, do duhej vërtet një flijesë për të bërë kthesë.
Matematikat i kanë analizuar të gjithë, këtu s’ka ndonjë fshehtësi. Gabimi më i madh që do të bënte Zaevi është që për inat të BDI-së të shkonte me koalicionin opozitar shqiptar që ka 3 deputetë më pak, për çka domosdo duhet ta përfshijë edhe një parti ekstremiste, si E Majta e Apasievit. Gjithsesi, përfshirjen e saj do ta bënte të vështirë jo vetëm për LSDM-në, të cilën e akuzoi se ia ka vjedhë mbi 10 mijë vota, por më tepër, për Alternativën dhe Aleancën Shqiptare, që të ulen bashkë me të, e cila është kundër njohjes së Kosovës dhe për dalje nga NATO!
BDI-ja luajti më mirë se të gjithë me strategjinë që zgjodhi, dhe më mirë se të gjithë “paketuan” kryeministrin shqiptar, si një provë për demokracinë, si një dëshmi për pjekurinë e shoqërisë dhe që nuk është i drejtuar kundër ndokujt… Mu për këtë, fushatën e “kryeministrit shqiptar Naser Ziberi” e nisën duke vizituar varrin e njërit nga kryetarët maqedonas(B.Trajkovski) kurse për herë të parë në ikonografinë zgjedhore e futën edhe flamurin shtetëror bashkë me atë shqiptar, për të treguar lojalitetin ndaj shtetit dhe ndaj popullit të tyre njëkohësisht. Kjo, si porosi për pjesën maqedonase të publikut të indoktrinuar tri dekada. Edhe pse idenë e kryeministrit shqiptar shumë analistë maqedonas e quajtën dhe vazhdojnë ende ta quajnë si koncept nacionalist, ai në thelb është e kundërta, si synim barazie dhe pjekurie të shoqërisë dhe kjo s’është vështirë për t’ia sqaruar publikut.
Por gjithë këto në fushatë funksionuan bukur, sepse rezultati e tregon me 100 mijë votuesit që u rreshtuan pas. Por, tash, insistimi në kryeministrin shqiptar mund të çojë në krizë politike. Pritet që “shantazhin” e BDI-së të mos e pranojë LSDM-ja, por mbetet çështje e diskutueshme sa Hristijan Mickovski do të jetë më fleksibil? Për ta bërë kushtin më të fortë, gjithsesi BDI-së do t’i duhen deputetët opozitarë shqiptarë, të cilët në këtë situatë nuk duket se janë të disponuar të rreshtohen bashkë, sepse humbin alibinë që kanë për humbjen në zgjedhje kundrejt BDI-së.
SILLE NGA TA SJELLËSH, VIJMË TE NEVOJA PËR KOMPROMIS…
Hristijan Mickovskidhe VMRO-ja nuk janë të prira t’ia harrojnë BDI-së “tradhtinë” e zgjedhjeve të kaluara kur i braktisi pas negociatave kur koalicioni i tyre tashmë ishte gati. Megjithatë, edhe një qeveri e Zaevit për VMRO-në do të ishte më keq se të bëjë koalicion me BDI-në, edhe me atë kushtin e kryeministrit. Por këtu gjithsesi mendoj se dy deputetët e Apasievit dhe një i PDSH-së mund të jenë vendimtarë, por a është mençuri për AliAhmetin e Menduh Thaçin të ulen me Apasievin antishqiptar dhe anti-NATO? Prapë kthehet në lojë roli i Aleancës shqiptare dhe Alternativës…
Kompromiset për këto pozita të barrikaduara, do t’ua lëmë partive. Ajo që dua të them është diçka tjetër, duke pasur parasysh rrethanat shumë të favorshme, cilado nga partitë shqiptare të hyjë në qeveri, duhet të vë do kushte që nuk janë të tepruara, por në suaza të nevojës për të korrigjuar disa defekte sistemore. Para së gjithash, të bihet në ujdi me partinë maqedonase që të ndryshohet kushtetuta për ta futur “me emër e mbiemër” gjuhën shqipe dhe të hiqet kategorizimi i 20 përqindëshit. Kjo nuk është ndonjë flijesë e madhe edhe për partitë maqedonase, sepse kushtetuta e Maqedonisë në kohën e komunizmit, e ka njohur edhe gjuhën shqipe edhe popullin (nuk jam i sigurt se cili koalicion mund të sigurojë shumicë Badenteri për ndryshime kushtetuese). Një çështje e dytë është që të arrihet marrëveshje lidhur me përfaqësimin e drejtë në administratë dhe sektorin publik. Ka një defekt serioz, për të cilin u shkrua në periudhën e kaluar, kur ka pasur shumë keqpërdorime, duke u punësuar shumë maqedonas duke u deklaruar si shqiptarëve (mbase ka pasur edhe ndonjë shembull të anasjelltë)! Kjo e ka cenuar padyshim përfaqësimin. Pra, duhet të eliminohen defekte në mekanizmin e quajtur “balanser”, siç u shpreh edhe në një konkurs të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, ku ka nevojë për kuadro shqiptare, e “balanseri” kushtëzon punësime të 8 joshqiptarëve!!! Çka duhet të bëhet në këtë situatë, të manipulohet “balanseri” me deklarime të rrejshme, apo të futen në ligj përjashtime për subjekte të caktuara? Fundja, përfaqësimi nuk duhet të merret në çdo punësim të ri si pikë fillestare, por duke u bazuar në gjendjen momentale të punësimeve… Theksi i tretë do të ishte gjyqësia, për çka të gjitha partitë shqiptare kanë konceptin se çfarë reformash duhet bërë. Kuptohet, me këdo që të hyjnë në pushtet, disa procese të kryera, nuk mund të rikthehen: ndërrimi i emrit, anëtarësimi në NATO, EU… Kompromisi nuk është disfatë, por imponim rrethanash, kur nëse s’e fiton maksimalen, të paktën të sigurosh optimalen.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)