Ndonëse jeton jashtë Shqipërisë, projektet i ka gati dhe pret që xhirimet e klipeve t’i bëj në vendlindje. Eni Zhuri vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon mbi karrierën e saj…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Eni, si të gjeti kjo koha e pandemisë?
Me shëndet jemi mirë, kjo ka rëndësi, pastaj për të tjerat si në gjithë botën.
KOHA: Me projektet në cilën fazë je?
Kam disa projekte që presin të publikohen por për momentin nuk po arrij dot ti sjellë sepse unë jam aktualisht jashtë Shqipërisë ndërkohë që klipet dua ti realizoj atje.
KOHA: Bashkëpunimet janë në trend tani dhe zakonisht që të bëhen hite, janë gjithmonë një këngëtar dhe një këngëtare, pse jo dy këngëtare?
Ndoshta ngaqë është kthyer edhe në trend suksesi mashkull-femër, por besoj që edhe bashkëpunimet mes dy femrave janë po aq të suksesshme sa edhe ato mes një mashkulli dhe një femre. Mendoj se do ketë një bashkëpunim edhe nga ana ime shume shpejt.
KOHA: Çfarë vlerëson më shumë në jetë?
Familjen dashurinë dhe muzikën, lumturinë që më dhurojnë këto të treja, nuk ma dhuron asgjë tjetër. Dashuria e jetës time ka qenë një mbështetje e veçantë për mua dhe e falënderoj pa fund!
KOHA: Si do të doje të identifikohej imazhi yt si këngëtare? A ia ke arritur ta kesh këtë?
Do doja të identifikohesha si Eni që këndon me shpirt dhe me dashuri, ashtu siç jam në të vërtetë dhe ashtu siç më ka identifikuar edhe publiku.
KOHA: Mendon se një fytyrë e bukur fsheh edhe një shpirt të bukur?
Në rastet më të shpeshta po, por ka pasur raste që një fytyrë e bukur ka pasur një shpirt jo aq të bukur, kështu që duhet marrë si relative kjo gjë.
KOHA: A të pëlqen puna që bën?
Jam shumë e lumtur me profesionin që kam sepse bëj atë që dua.
KOHA: A je kursimtare?
Aspak, do të doja të isha por e kam ‘dorën e shpuar’(qesh)
KOHA: Cila është koha e kujtimeve të tua më të bukura?
Për fat të mirë kam kujtime shumë të bukura për çdo vit që kalon, kështu që s’mund të veçoj një.
KOHA: Po kujtimet e hidhura?
Ka disa por unë mundohem ti anashkaloj e mos ti kujtoj fare dhe sa herë i mendoj të qenurit e lumtur më ndihmon ti quaj vetëm mësime.
KOHA: Të qenit i pëlqyer e bën më të bukur ekzistencën e një artisti?
Absolutisht që po! Ne të gjithë bëjmë “artin” tonë, por pa aprovimin e një audience mund të mbyllemi e ta bëjmë këtë gjë në shtëpi ashtu siç po ndodh tani ne pandemi.
KOHA: A i lutesh Zotit dhe për çfarë?
Sigurisht që po, është ndoshta e vetmja mënyrë që të ndihem më mirë, sepse realisht shpresat më të mëdha që gjërat të shkojnë mirë, janë në dorë të Tij.
KOHA: Është lehtë t’i qëndrosh besnike stilit tënd?
Absolutisht është shumë e vështirë! Ka gjithmonë tendenca të reja që janë shumë atraktive, por e mira është vetëm të përshtatesh dhe të vazhdosh rrugën.
KOHA: Çfarë të frymëzon më shumë?
Muzika e mirë më inspiron shumë, njerëzit e lumtur. E shumë gjëra që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën.
KOHA: Të është dashur të sakrifikosh për muzikën?
Vetëm kohë dhe vullnet. Ia ka vlejtur 100%.
KOHA: Pas gjithë këtyre gjërave të bukura në jetën tënde, cilat janë projektet ku do të fokusohet vëmendja jote?
Kam në plan të sjell këngë shumë të bukura, një e kam në plan ta sjell shumë shpejt si edhe ju thashë dhe ishalla dalim shpejt nga ky ngërë që na ka kapur.