E lindur më 7 janar të vitit 1978 në Tiranë, ka mbaruar Akademinë e Arteve dhe ka interpretuar shumë role në teatër, por edhe në filma. Eni Jani Fuga, si emër tashmë ju duket i njohur, por kulmin e karrierës e ka arritur me telenovelën “Njerëz dhe fate”. Aktorja shqiptare vjen në një intervistë ekskluzive për edicionin festiv të InfraRed të gazetës KOHA ku tregon shumë gjëra mbi veten dhe karrierën e saj. Për të mësuar më shumë mbi Enin, atë vajzën çapkëne të telenovelës së famshme shqiptare e lexojmë bashkë intervistën
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Eni, sot je një ndër emrat më të rëndësishëm të ekranit, filmi, teatrit… Po e vogël, çfarë ke dashur të bëhesh?
E vogël më përpinte ekrani i televizorit dhe radios. Shihja e dëgjoja çdo film e teatër. Mesa duket instiktivisht jam dhënë shumë e vogël pas këtij profesioni por për të shprehur nuk e kam shprehur çfarë dua të bëhem. Dhe filma dhe nëpër revista kam dalë e luajtur që kur isha në kopsht.
KOHA: Çfarë të jep dhe çfarë i jep aktrimit?
I jap shumë më tepër seç më jep.
KOHA: Një nga armët e tua të forta, është buzëqeshja… Je edhe në jetë ajo që dukesh në rol, në ekran?
Sigurisht që kam të njëjtën buzëqeshje që është dhe në ekran, përsa i përket rolit jo gjithmonë është e imja, ka raste që duhet të jetë e hidhur siç e do roli.
KOHA: Je krenare për veten dhe ato që ke arritur?
Padyshim jam shumë krenare për çdo gjë që kam arritur. Mbase nuk kam shumë, por kjo është dhe zgjedhje e imja gjithmonë mendoj më mirë cilësi se sasi.
KOHA: Si mendon, përse publiku të ndjek dhe të do prej vitesh me besnikëri?
Mendoj që është prej faktit që vazhdoj të jem e njëjta gjithmonë.
KOHA: Ke pengje në jetë, përsa i takon anës profesionale?
Pengojë… mbase pengje jo. Do ta quaja keqardhje. Ka pasur raste që më kanë thënë do bësh x rol dhe i është dhënë më pas dikujt tjetër.
KOHA: Si është jeta jote pas kuintave të ekranit dhe backstageve të filmave e shfaqjeve teatrale?
Është si i çdo nënë tjetër, e impenjuar maksimalisht pas vajzave. Vajzat për mua janë primare.
KOHA: Çfarë raporti ke me gazetarët? Je ndjerë ndonjëherë e cenuar prej tyre?
Raport tepër korrekt. Sigurisht që dhe jam ndjerë por… as e para as e fundit.
KOHA: Mendoni se bukuria të ndihmon në jetë?
Po, mendoj që jo vetëm mua po çdo kënd. Është një armë e fortë mendoj për çdo kënd si për meshkujt ashtu dhe për femrat.
KOHA: Të pëlqen Tirana? Ke menduar ta braktisësh ndonjëherë familjarisht?
Asnjëherë nuk e kam menduar të largohem nga Tirana apo Shqipëria.
KOHA: Deri vonë, je kujtuar si Era te “Njerëz dhe fate”…
Është një ndjesi pozitive, është një rol shumë i dashur e që ka lënë shijë shumë të mirë në njerëz edhe pas kaq kohësh. Kjo është një ndjesi që më përkëdhel gjithmonë.
KOHA: Çfarë ndjesie te krijon kur te flasin ende si Era e serialit?
Jo mua më shkojnë shumë dhe rolet e teatrit filmit. Një aktor përshtatet në çdo gjini.
KOHA: Duket sikur të ngjisnin mirë rolet në telenovela. Është kështu, apo jo?
Nuk kam asgjë kundër serialeve, por nuk jam dakord që gjithmonë i blejmë e nuk prodhojmë. Jemi shumë të vonuar në këtë pjesë.
KOHA: Gjithnjë ndodh që një aktor të ketë shumë për zemër një rol. E ke interpretuar deri më tani këtë rol?
Nuk bëj veçim rolesh, i dua dhe i përkushtohem njësoj të gjithave. Por rolet Cehoviane janë shumë të dashur për mua.
KOHA: Gjithnjë e kam menduar shumë të vështirë të mësosh shumë tekste përmendësh. Si ia arrini?
Oh mësimi i tekstit është gjëja më e thjeshtë, ai mësohet vetvetiu gjatë provave, procesi më i vështirë është zbërthimi i personazhit.
KOHA: Plane të tjera në sfond për 2020?
Po kam dhe për regji dhe në interpretim. Por është herët për të folur.
GENCI DHE ENI
KOHA: Kur unë e lë krevatin pa rregulluar, ai…
AI- as e vë re fare, nuk merret me këto gjëra hiç.
KOHA: Kur unë nuk kam gatuar asgjë për drekë, ai…
Ai – çfarë do porosisim ndonjë gjë për të ngrënë.
KOHA: Kur unë kam shpenzuar gjysmën e rrogës për shopping, ai….
Ah sikur të ndodhte që ta bëja (qesh).
KOHA: Kur i telefonojnë miqtë në orët e vona për ndonjë gotë verë, ai…
Ai ‐ për 20 minuta jam aty.
KOHA: Kur më bëjnë komplimente në rrugë, ai…
Kur ia thonë sa të mirë e ke Enin përgjigjet: prandaj e martova.
KOHA: Kur nuk i pëlqej në interpretim, ai…
Asnjëherë nuk më thotë nuk më pëlqeve, diskutojmë rreth personazhit po asnjëherë nuk më pëlqeve.
KOHA: Për festa ai…
Gëzuar!