Përveç territ në fshatra, në Dibër po zvarritet edhe furnizimi i rregullt me rrymë elektrike. Për shkak të dëmeve të mëdha gjatë sezonit dimëror, para disa viteve, Dibra edhe sot e kësaj dite furnizohet me rrymë elektrike vetëm nga një linjë e jo nga dy siç ka qenë dekadave të kaluar
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 dhjetor – Në Komunën e Dibrës ka ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Ndërprerjet, sipas banorëve të qytetit, por edhe fshatrave për rreth, po shkaktojnë dëme në pajisjet shtëpiake. Po ashtu ndërprerjet shkaktojnë dëme edhe në punën e subjekteve juridike, shkruan gazeta KOHA. Përveç kësaj, institucionet kompetente irritojnë banorët dhe firmat meqë në asnjë moment ata nuk informohen paraprakisht për ndërprerjen e rrymës elektrike. Anëtari i Këshillit të Dibrës, Abdia Mersoski ka kërkuar nga kompetentët e pushtetit vendor të sqarojnë ndërprerjet shumë të shpeshta të energjisë elektrike në fshatrat Xhepisht dhe Ortishan.
“Në qytet ka ndërprerje të rrymës elektrike, por në këto dy fshatra kufitar – ata janë aq të shpeshta sa revolta tek banorët është e madhe. Në takimet që kam me banorët e të dyja fshatrave, ata thonë se për shkak të ndërprerjeve, kanë dëme të konsiderueshme të aparateve elektrike. Dua t’ju informoj se ka persona, të cilët deklarojnë se kur duan ata, edhe ndërpritet rryma elektrike dhe kjo është e papërballueshme për banorët”, thotë Mersoski, duke i kërkuar sqarime kryetarit të Dibrës dhe Këshillit komunal.
Përveç kësaj, në Dibër po zvarritet edhe furnizimi i rregullt me rrymë elektrike. Për shkak të dëmeve të mëdha gjatë sezonit dimëror, para disa viteve, Dibra edhe sot e kësaj dite furnizohet me rrymë elektrike vetëm nga një linjë e jo nga dy siç ka qenë dekadave të kaluar. Aktualisht furnizimi bëhet nga Hidriocentrali Spilje. Me qëllim që të tejkalohet ky problem, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, pati takim me përfaqësues më të lart të kompanisë EVN Maqedoni.
Duke dhënë sqarime për takimin, Duka theksoi se ka kërkuar nga EVN si dhe nga kompanitë të tjera që merren me prodhimin, distribuimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të energjisë elektrike të ndërmarrin të gjitha aktivitetet që komuna, respektivisht Dibra dhe fshatrat të kenë dy linjat sikurse ka qenë më parë. Ai shtoi se Dibra dhe fshatrat nuk mund të tolerojnë ndërprerje të rrymës elektrike meqë shkaktohen dëme të mëdha. Si në Komunën e Dibrës, ashtu edhe në Komunat Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë, të cilët po ashtu shfrytëzojnë të njëjtin rrjet të furnizimit të rrymës elektrike, shqetësimet janë të mëdha për shkak të ndërprerjeve të rrymës elektrike. Përveç kryetarit të Dibrës, reagime dhe kërkesa për një furnizim normal të rrymës elektrike kanë kërkuar edhe kryetarët të komunave Mavarovë Rostushë dhe Qendër Zhupë. Revolta deri tani nga ana e banorëve të Zhupës dhe Rekës disa vite me radhë ka ndodhur gjatë sezonit dimëror, kur në vendlindje arrijnë kurbetçarët nga shtetet evropiane. Plot pesë ditë nuk ka pas rrymë elektrike Komuna Mavarov Rostushë para tre viteve edhe atë duke filluar nga 31 dhjetori dhe në ditët në vijim. Popullata ka kaluar Vitin e Ri dhe net tjera në terr. E ngjashme ka qenë situata edhe në Komunën Qendër Zhupë.
Kur jemi tek ndërprerjet të shpeshta të rrymës elektrike në tre komunat në fjalë, një problem është edhe mos informimi i popullatës për ndërprerjet. Mediat lokale që mbulojnë këto komuna në asnjë moment nuk marrin informata paraprake për ndërprerjen e rrymës elektrike. (koha.mk)