Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 tetor – Ulja e temperaturave dhe rritja e konsumit të energjisë elektrike për ngrohje, pritet që në periudhën e ardhshme të shtrenjtojë edhe faturat e rrymës për amvisëritë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Njohësit e sektorit të energjetikës thonë se përkundër faktit se kursimet më të mëdha arrihen me ndryshimin e dritareve, apo izolimin e shtëpisë, apo banesës që kërkon edhe mjete jo edhe aq të vogla, megjithatë ekzistojnë forma që të kursehet në mënyra të ndryshme, si energjia elektrike ashtu edhe ajo e ngrohjes prej 10 deri në 20 për qind.
Një nga zgjidhjet që propozohet nga ekspertët për harxhimin sa më të ulët të energjisë, është edhe zbatimi i parimeve të efikasitetit energjetik që nënkupton jo kursimin e energjisë, por kryerjen e sasisë së njëjtë ose edhe më të madhe të aktiviteteve me harxhim të sasisë së njëjtë ose më të vogël të energjisë.
“Efikasitetit energjetik nënkupton të mbani temperaturën prej 20 gradë celzius në hapësirën banuese, ndërsa të harxhoni më pak energjens, të keni ndriçim në dhomë dhe të harxhoni më pak duke përdorur poçe jo me fije që harxhon 100 vatë, por mundësisht me neon që harxhon 400 vatë që në të njëjtën kohë ju jep të njëjtin ndriçim. Apo të përdorni frigoriferët për ftohje prej të cilave disa harxhojnë 600, ndërsa ato me efikasitet energjetik harxhojnë 200 vat”, thonë ekspertët e energjetikës.
Nga ana tjetër, edhe ndriçimi më efikas harxhon deri në 5 herë më pak energji. Zëvendësimi i poçeve inkandeshentë me poçet kompaktë fluoreshentë (që kursejnë energji) ose me poçe LED, është gjëja e parë që duhet të bëjë çdo familje, rekomandojnë ekspertët e energjetikës. Kursimi i energjisë elektrike është 40 për qind kur bëhet zëvendësimi i poçeve inkandeshentë me poçe fluoreshente kompakte dhe 80 për qind kur bëhet zëvendësimi i poçeve me LED.
Në ndërkohë, edhe përllogaritjet e Agjencisë së Energjetikës së Maqedonisë tregojnë se me miliona euro mund të kursehen me një zëvendësim të thjeshtë të poçeve të vjetra me ato led apo fluoreshent. Përllogaritjet tregojnë se nëse në Maqedoni ka 550 mijë amvisëri që në mesatare përdor dy poçe nga katër orë në ditë, atëherë konsumi në nivel vjetor i rrymës arrin në afër 160 mijë megavat orë. Nga ana tjetër nëse shfrytëzohen poçet led, konsumi do të ulet në afër 24 mijë megavat orë që nënkupton një kursim prej afër tetë milion euro.
Gjithashtu efikasiteti energjetik nuk nënkupton vetëm izolimin e mirë të një banese por edhe ngjyrën e errët apo të çelur, që gjithashtu ndikon në kursimin e energjisë. Kursimi i energjisë mund të realizohet edhe me përdorimin e aparateve që shfrytëzojnë energjinë në mënyrë efikase. Vlerësohet se aparatet e klimës janë ndër të parët që kursejnë rrymë, ndërsa harxhues më i madh është frigoriferi. Kursim i energjisë prej 5-10 për qind mund të arrihet dhe pastrimin e filtrit të klimës. Me një pajisje të klasës A harxhohet energji elektrike më pak se gjysma e krahasuar me pajisjen e klasës G. Rekomandohet të blihen pajisjet e klasës A, A+, A++ dhe A+++, të cilat janë më efikase dhe përdorin më pak energji elektrike për të njëjtat orë pune.
Preferohet edhe heqja e pajisjeve elektrike (TV, Laptop, DVD) nga priza që bën të mundur një kursim të energjisë elektrike deri në 10 për qind. Këto pajisje edhe në ”Sleep Mode/Stand By” shpenzojnë energji. Në varësi prej mundësive financiare ia vlen të mendohet edhe për përdorimin e energjisë diellore për përgatitjen e ujit të ngrohtë sanitar dhe për ngrohjen e hapësirës banesore. Për një familje mesatare është e mjaftueshme sipërfaqja efektive e kolektorëve prej 3,6 metër katror dhe rezervuari prej 200 litër. Ngrohja diellore është zgjidhje ideale për kursimin e energjisë. Numri i madh i ditëve me diell në Maqedoni dhe shtetet e rajonit, rezulton me efikasitet të lartë, sepse sistemet diellore mesatarisht kursejnë 50-60 për qind në vit të nevojave për energji për ngrohjen e ujit. Në periudhën e verës sistemi konvencional i ngrohjes së ujit sanitar mundet plotësisht të shkyçet.
Rekomandim tjetër, shkruan KOHA, është edhe pastrimi i rregullt i sipërfaqeve të gypave nga akulli, për shkak se shtresat e akullit në frigoriferin tuaj kontribuojnë në shpenzimin më të madh të energjisë dhe mirëmbajtjen më të dobët të ushqimit. Me rastin e pastrimit kontrolloni gjendjen e tyre si dhe gjendjen e komponentës në pjesën e pasme. Mirëmbajeni pastër gomën e derës dhe kontrollojeni që të puthitet mirë. Testi i thjeshtë i puthitjes është që të vendosni një fletë të letrës në mes gomës në derë dhe shtëpizës së frigoriferit. Nëse letra tërhiqet lehtë, atëherë ndërrojeni gomën në derë. Ndryshe, faktin se standardi i ulët i pamundëson qytetarët që më shumë të kursejnë energji përmes izolimit të shtëpive të tyre e mbështesin edhe të dhënat e institucioneve shtetërore. Sipas analizave të Entit të Statistikës, në përqindje pjesëmarrja e amvisërive që kanë vendosur izolim të ngrohjes në banesat e tyre, në raport me të gjithë amvisëritë e tyre, është 18 për qind. Analizuar sipas rajoneve, përqindja më e madhe e amvisërive me izolim me 29 për qind është në rajonin e Shkupit, ndërsa më e vogël është në rajonin e Pellagonisë me 7 për qind. Në rajonin e Pollogut izolimi është 18 për qind, në atë jugperëndimor është 27 për qind dhe në atë verilindor 12.41 për qind. Prej amvisërive që kanë të vendosur izolim në banesat e tyre, përkundër vitit të vendosjes, në pjesën më të madh kanë vendosur izolime në muret e jashtme, pastaj pasojnë izolimet e tavanit dhe pullazit, ndërsa më pak ka izolim në dyshemetë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.