Ka tenderë për ndërtimin e elektrocentraleve të mëdha diellore deri tek të cilat do të ndërtohet rrugë dhe infrastrukturë e tërësishme, ndërsa për amvisëritë që mund të prodhojnë energji elektrike, nuk ka kushte. Investitorëve privat u sigurojnë edhe tokë edhe kushte, ndërsa nga ana tjetër ua vështirësojnë amvisërive
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 korrik – Prodhimi i energjisë elektrike nga dielli në Maqedoni është në nivelin më të ulët në krahasim me burimet tjera, edhe vendi ka shumë ditë me diell. Në raportin e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, mund të vërehet se nga prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike, nga centralet diellore fitohet vetëm 0.5 për qind. Sipas ekspertëve, njëra prej shkaqeve për shfrytëzimin e dobët të energjisë diellore, është interesimi i dobët i deritanishëm, por edhe rregullativa e dobët ligjore, që i demotivon qytetarët të vendosin panele diellore dhe vet të prodhojnë energjinë elektrike, shkruan gazeta KOHA.
“Hidrocentralet i kemi tash më 80 vite, ndërsa ato fotovoltaike dhe energjinë e erës ose teknologjitë e biomasës janë relativisht të reja dhe tek ne po implementohen gjatë 10 viteve të fundit, ashtu që ekspansioni i tyre pritet të ndodhë gjatë pesë viteve të ardhshme, me çka edhe pjesëmarrja e tyre do të jetë me e lartë në furnizimin e energjisë përmes burimeve të ripërtërira”, thotë profesori universitar Anton Çaushevski nga Fakulteti i elektroteknikës dhe teknologjive të informacionit. Edhe profesori i Fakultetit të makinerisë, Konstantin Dimitrov theksoi se shteti duhet të shfrytëzojë të gjitha burimet e disponueshme të energjisë, posaçërisht ato të ripërtërira si dielli, në mënyrë që të lirohemi nga përdorimi i derivateve fosile.
“Nga shfrytëzimi maksimal i burimeve të ripërtërira të energjisë do të ketë dobi i tërë shteti, do të zvogëlohen harxhimet për import të derivateve fosile, ndërsa do të ulet edhe ndotja. Por, edhe pse kemi shumë energji diellore, në vend se përmes stimulimeve të motivohen amvisëritë dhe kompanitë e vogla të investojnë në prodhim individual të energjisë elektrike nga dielli, tek ne shteti e frenon procesin. Ka tenderë për ndërtimin e elektrocentraleve të mëdha diellore deri tek të cilat do të ndërtohet rrugë dhe infrastrukturë e tërësishme, ndërsa për amvisëritë që mund të prodhojnë energji elektrike, nuk ka kushte. Investitorëve privat u sigurojnë edhe tokë edhe kushte, ndërsa nga ana tjetër ua vështirësojnë amvisërive”, thotë profesor Dimitrov.
Ai shpjegoi se në pajtim me rregullat e tanishme, qytetarët gjenden në një pozitë të palakmueshme, sepse nuk ka zgjidhej të madhe të firmave që ofrojnë rrymë në tregun e lirë dhe të cilët janë të gatshëm edhe për të blerë rrymë. “Kështu investimi do të kthehet madje pas 12-13 vjetëve, sepse nuk do të ketë interesim nga qytetarët. Kjo, sipas meje, do të thotë se shteti nuk dëshiron që amvisëritë të harxhojnë më pak energji elektrike, sepse paguajnë 18 për qind të tatimit të vlerës së shtuar”, thekson Dimitrov.
Ngjashëm si ai, edhe pronari i kompanisë “Sieto”, e njohur për ndërtimin e parqeve të para diellore në vend, Xvonko Markovski, theksoi se për shkak të dispozitave të tanishme ligjore qytetarët nuk kanë interes për të investuar në panele diellore me të cilat do të prodhonin rrymë për nevojat vetanake ose për shitje. “Me kushtet aktuale investimi në panelet diellore për prodhimin e rrymës është humbje, sepse qytetarët ose firmat që vendosin të marrin një hap të tillë do të duhet të heqin dorë nga furnizuesi universal dhe në tregun e lirë vet të blejnë dhe të shesin energji elektrike. Atje edhe shitja edhe furnizimi janë më të shtrenjtë, për çka ata do të heqin dorë nga investimi i tillë. Për dallim nga ne, në Gjermani për shembull ka strategji që u mundëson qytetarëve të dorëzojnë rrymë në sistem dhe të kompensohen. Mos të flasim për atë se nëse bashkëqytetarët tanë dëshirojnë të investojnë në panele për objekte që gjenden jashtë mjedisit urban, procesi është i pamundshëm. Kërkohet dokumentacion që nuk mund ta sigurojnë sepse komunat nuk kanë sjellë plane urbanistike”, thotë Markovski.
Përkundër pohimeve të tyre, njeriu i parë i Komisionit rregullator të energjetikës, Marko Beslimovski, shpjegon se vendimi me të cilin qytetarët dhe firmat, që dëshirojnë të investojnë në panelet diellore për prodhim të rrymës, u mundësohet që të çkyqen nga furnizuesi universal, është marrë që të mund më shpejtë të kthejnë investimin. “Me shitjen e energjisë së fituar në treg të lirë, qytetarët dhe firmat do të fitojnë çmim shumë më të madh. Atje rryma shitet thuajse me çmim të dyfishtë nga ajo e caktuara prej furnizuesit universal, dhe prandaj investimin do të mund ta paguajnë më shpejtë. Ne sot kemi të regjistruara tetë subjekte në tregun e lirë. Qytetarët kanë zgjidhje dhe mund të kontraktojnë me ata se në çfarë mënyre do të japin rrymën”, theksoi Beslimovski.
Maqedonia ka madje 280 ditë me diell, dhe është e qartë se ende nuk ka gjetur mënyrën se si të prodhojë sa më shumë energji elektrike nga dielli, e me atë edhe të ketë ndotje sa më të ukët të mjedisit jetësor. (koha.mk)