Energji prej bërllokut, ambientalistët ngrenë dilemat

18

Impianti në fshatin Dubrovë të Negotinës, ku pritet të investohen 336 milionë euro e që do të punojë me “plazmë” për djegie (djegie pa oksigjen në temperatura të larta) ka hasur në kundërshtimin e opozitës, ndërsa organizata ekologjike “O2” kërkon më shumë argumente për një investim të tillë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 qershor – Ekzekutivi planifikon zgjidhje të përhershme të çështjes me menaxhimin e mbeturinave në vend. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, investimi i ri i quajtur “Energji nga mbeturinat”, për të cilin qeveria po bisedon gati 8 muaj me një investitor nga Luksemburgu, pritet të ofrojë zgjidhje përfundimtare për këtë problem. Bëhet fjalë për impiant në fshatin Dubrovë të Komunës së Negotinës, ku do të investohen 336 milionë euro, impiant ky që do të punojë me “plazmë” për djegie , apo djegie pa oksigjen të mbeturinave në temperatura të larta .Prej kësaj fabrike, thotë Zaevi, do të fitohet sasi e caktuar e energjisë elektrike. “Një investim i tillë do të jetë me sistem të mbyllur, apo pa oxhak në formën e një investimit tërësisht ekologjik. Para se ai të fillojë me punë, do të zbatohet edhe procedura për furnizimin me pajisjen për seleksionimin primar të mbeturinave nëpër komunat në vend”, thekson kryeministri Zaev.

Sipas tij, investimi parashikon blerjen e 100 kamionëve komunal për grumbullimin e mbeturinave, ndërtimin e 11 stacioneve ngarkuese dhe blerjen e 6000 kontejnerëve nga plastika dhe metali. Në rast se realizohet investimi, trajtimi i tillë i mbeturinave do të përfshijë katër nga tetë rajone planifikuese në vend, me mundësi që ai të zgjerohet edhe në rajonin e Shkupit dhe të Pollogut. Ky projekt synon zgjidhjen e tërësishme të problemit me trajtimin e mbeturinave në dy të tretat apo 74 për qind të territorit të vendit dhe me të do të përfshihen 48 komuna.

Investimi do të realizohet në bazë të Ligjit për investime strategjike, që nënkupton se ai duhet të fitojë dritë jeshile nga Parlamenti. Parashikohet se ndërmarrjet komunale do të kenë obligim ti paguajnë investitorit 20 euro për një ton të mbeturinave, ndërsa në vit pritet të grumbullohen ndërmjet 700 mijë dhe një milion ton të mbeturinave. Mjetet e grumbulluara si obligim i investitorit do të hyjnë në fond të veçantë për ndërtimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në vend, apo me fjalë të tjera nënkuptojnë të ardhura shtesë për arkën e shtetit. Megjithatë, partia opozitare VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar një investim të tillë me arsyetimin se investimi i paralajmëruar nga kompania që vjen nga Luksemburgu dhe merret me djegien e mbeturinave, është e dyshimtë për shkak se vjen nga një vend që është i njohur për firmat “of shor”, me pronësi të dyshimtë që fshihet pas opinionit. Njëherësh, VMRO-DPMNE akuzon se një investim i tillë do të jetë i dëmshëm edhe për bujqësinë dhe ambientin, për shkak se sipas tyre, fabrika në Negotinë do të sjellë ndotje shumë të madhe për qytetarët e Kavadarit, Negotinës, Demir Kapisë, Rosomanit dhe komunave fqinje.

Nga organizata ekologjike “O2”, kanë kërkuar që pushteti të parashtrojë përvojat e suksesshme në Evropë dhe në botë të djegies së sasive të planifikuara të mbeturinave komunale me teknologjinë plazma për fitimin e energjisë elektrike, si dhe më shumë argumente në favor të ndërtimit të një fabrike të tillë. Në ndërkohë, planet e ardhshme qeveritare në fushën e ekologjisë dhe ambientit jetësor parashikojnë edhe ndërtimin e fabrikës për seleksionimin dhe përpunimin e mbeturinave në rajonin Lindor dhe Verilindor me vlerë prej 37 milionë euro me mjete prej BE-së, ku është formuar ndërmarrja e përbashkët komunale për menaxhimin e deponisë, apo për fabrikën e re në Sveti Nikoll. Pritet që deri në fund të vitit të fillojë edhe ndërtimi i kësaj fabrike.

Parashikohet edhe investim në Centralin elektrik të biomasës apo të shfrytëzimit të mbetjeve nga druri në Kriva Pallankë prej 12 megavat me një vlerë të investimit prej 50 milionë euro. Gjithashtu, me planin për investime, për sivjet parashikohet të fillojë ndërtimi i stacionit filtrues të ujërave të zeza në Shkup, me vlerë prej 136 milionë euro, për të cilin pritet të fitohet grant apo mjete të pakthyeshme prej 70 milionë euro nga fondet evropiane. Parashikohet edhe ndërtimi i kolektorit për pastrimin e ujërave të zeze në Manastir me vlerë prej 50 milionë euro si grant dhe pjesëmarrje shtetërore prej 15 për qind, ndërsa tenderi pritet të shpallet këtë muaj. Në muajin qershor pritet të shpallet tenderi edhe për kolektorin e ujërave të zeza në Kërçovë me vlerë prej afër 14 milionë euro, që gjithashtu do të mbështetet me 15 për qind financim nga shteti. Ndërtimi pritet të fillojë deri në fund të vitit, apo fillim e vitit të ardhshëm. Gjithashtu do të fillojë edhe ndërtimi i stacionit filtrues të ujërave të zeza në Tetovë, që kushton 32 milionë euro, të holla evropiane si grant e që do të ketë 15 për qind mbështetje financiare shtetërore. (koha.mk)