Njohësit e energjetikës thonë se në një kohë të krizës së përgjithshme energjetike në botë, e një rëndësie të parë për vendin është që para sezonit të ngrohjes të sigurojë energjense të mjaftueshme, me një kosto, me aq sa ka mundësi jetë pranueshme për amvisëritë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 qershor – Maqedoninë e Veriut, rajoni , por dhe botën e pret sërish një dimër i vështirë dhe plot sfida për të siguruar furnizimin stabil dhe të sigurt me energji elektrike dhe gaz. Njohësit e energjetikës thonë se në një kohë të krizës së përgjithshme energjetike në botë, e një rëndësie të parë për vendin është që para sezonit të ngrohjes të sigurojë energjense të mjaftueshme, me një kosto, me aq sa ka mundësi të pranueshme për amvisëritë.
Luhatjet e mëdha të çmimeve të rrymës , naftës dhe gazit në bursat botërore, si dhe të llojeve të tjera të energjenesve në tregjet botërore vendosin shtetet para sfidave të mëdha para sezonin dimëror. Përskaj rritjes së energjisë elektrike për amvisëritë, para sistemit elektro energjetik të vendit gjenden edhe sfida të reja për konsumin në rritje të energjisë elektrike ku qytetarët pritet të kalkulojnë edhe me ngrohjen me rrymë për shkak të rritjes së kostos së energjenesve të tjera si peletat. Pritet të shtrenjtohen gati të gjitha opsionet për ngrohje, ku qytetarët do të shqyrtojnë llojet alternative për ngrohje në varësi prej thellësisë së xhepit.
Rritja e pritshme e harxhimit të rrymës do të shtrojë edhe angazhime më të mëdha para kompetentëve që të mundet që sistemi energjetik vendor, të përballë dimrin dhe nevojat e amvisërive si për rrymë ashtu edhe për ngrohje qendrore me gaz në Shkup.
Eksperti energjetik Konstantin Dimitrov thotë se ekzekutivi duhet të përgatitet që para sezonit të dimrit të sigurojë sasi të nevojshme të qymyrit , me qëllim që për së paku tre muaj të kemi rezerva të qymyrit për të tre blloqet e Termo Centralit të Manastirit, si kapacitetin kryesor ku vendi plotëson nevojat me rrymë. Duke shtuar se nevojitet të realizohen edhe intervenimet përkatëse me qëllim që të gjithë pjesët e prodhimit të këtij impianti të rëndësishëm energjetik të jenë në gjendje t’i përgjigjen kërkesave. Njëherësh shton se nevojitet që sa më parë të miratohen edhe ndryshimet ligjore, me qëllim që qytetarët të mos kenë pengesa të vendosin fotovoltaiket apo panelet diellore në çatitë e tyre, dhe të mund të shesin tepricën e energjisë elektrike së prodhuar.
Nga qeveria kanë paralajmëruar se po punohet për qasjen më liberale në këtë fushë, që të mundet çdo amvisëri në vend që ka mundësi dhe interes, të instalojë sisteme fotovoltaike. Gjithashtu po përgatitet edhe ligji që do të lehtësojë procedurën e instalimit të sistemeve fotovoltaike në çatitë e shtëpive dhe objekteve industriale.
Planifikohet edhe rritja nga 4 në 6 kilovat e sistemeve për amvisëritë dhe nga 20 pa licencë në 40 kilovat me licencë për bizneset, që do të mundësojë edhe vendosje pa kufizime në varësi prej hapësirës dhe kushteve për lidhjen me sistemin e përçimit të rrymës. Njëherësh me rregulloren për lidhje që po përgatitet do të mundësohet që distributorët e energjisë elektrike të marrin rrymën e prodhuar nga amvisëritë me çmimin me të cilin distributori e merr nga prodhuesi i shtetit të energjisë apo nga Elektranat e Maqedonisë.
Vendi në vitin e kaluar u ballafaqua edhe me furnizimin e sigurt me gaz nga Rusia për shkak të turbulencave politike. Gazin natyror në vend e përdorin disa nga kapacitetet kryesore industriale në vend si Hekurana në Shkup, por edhe më shumë fabrika të investitorëve të huaj në zonën industriale “Bunarxhik”, si dhe ngrohtoret në vend.
Eksperti Dimitrov thotë se vendi nevojitet të sigurojë dhe paguajë me kohë sasitë e nevojshme të gazit nga Rusia, për punën njëvjeçare të industrisë dhe ngrohtoreve. “Duhet të sigurojmë që të kalojmë dimrin si duhet përkundër asaj a do të jetë ai i ftohtë apo i ngrohtë. Andaj qeveria nevojitet të sigurojë qymyr për një tremujor për Termocentralin e Manastirit në depo nëse ka nevojë edhe prej jashtë, si dhe të sigurohet mihje e pandërprerë e qymyrit . Nevojitet të sigurohet edhe puna e pa ndërprerë dhe e rregullt e Termocentralit të Negotinës, duke siguruar sasi të mjaftueshme të mazutit, si dhe të sigurohen sasi të mjaftueshme të qymyrit edhe për Termo Centralin e Osllomesë“, thekson Dimitrov disa nga kushtet që duhet të plotësohen që tani, për të siguruar një dimër me furnizimin stabil të energjisë elektrike. Sipas tij, nevojitet të shfrytëzohen tani sa më pak edhe ujin nga liqenet artificiale që tani duhet të mbushen me qëllim që të mund të shfrytëzohen për të balancuar nevojat energjetike, apo për të siguruar energji në periudhat kur ka nevojë më shumë për të. Në rast se plotësohen këto kushte, mund të ulim importin e rrymës nga 30 për qind siç ndodhte në periudhën e kaluar në dhjetë për qind. Ai pret që çmimi i energjisë elektrike të ulet nga 250 në 200 euro për megavat orë, që sërish është një energji tejet e shtrenjtë karshi çmimeve prej 80 euro për megavat orë në vitet e mëhershme.
Nga ana tjetër, numri një i Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimovski vlerëson se sivjet askush me siguri nuk mund të parashikojë se çka do të ndodhë dimrin në fushën e energjetikës. “Nëse më parë problem ishte çmimi, tani mund të ndodhet të mos ketë gaz siç ndodh në rastin e Polonisë dhe Bullgarisë, ndërsa shtrohet edhe çështja se sa mund t’i rezistojë ekonomia vendore, çmimit të tanishëm të gazit. Për më tepër çka do të ndodhë nëse nuk keni blerës të gazit, kur çmimi në Bursën e Holandës është afër 97 euro për megavat orë që nëse shumëzohet me 10.5 fitohet kostoja prej 1000 euro. Kur këtij çmimi të blerjes i shtohen edhe harxhimet e tjera për transportin, tregtarin, marzhën etj, si dhe kursin e dollarit në luhatje kemi një çmim të lartë”, thekson Bislimovski. Sipas tij, edhe parashikimet në bursat e tjera si ajo e Vjenës udhëzojnë për një çmim prej 103 euro për megavat orë për korrikun, si dhe 104 euro për gushtin dhe shtatorin dhe një çmim prej 104-105 ero deri në fund të këtij viti dhe fillimin e vitit tjetër, që si çmim rritet kur shtohen edhe kostot e tjera ngjashëm me gazin nga Holanda.
Për më tepër, nuk dihet çka do të ndodh nëse Rusia na shpall vend armiqësor dhe ndërpret gazin, ku do të kemi një situatë mjaft të vështirë. Atëherë mbetet opsioni i furnizimit përmes TAP nga Bullgaria me gazin nga Azerbejxhani, në rast se Bullgaria me kohë e përfundon këtë kyçje të re.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut po shënon import të madh të rrymës në periudhën e kaluar. Vetëm vitin e kaluar shënohet import i energjisë elektrike prej 32 për qind. Sipas raportit të fundit të Entit Rregullator për Energjetikë, kjo paraqet një rritje të dukshme të importit të rrymës në raport me sasinë e importuar prej 24.39 për qind në vitin 2019 dhe 26 për qind në vitin 2018. (koha.mk)