Mendoj që çdo sportist i çfarëdo lloj sporti qoftë, kurrë nuk duhet ta nënvlerësoj stërvitjen. Ndonëse aktualisht jemi në periudhë pushimesh, sërish stërvitem si në çdo prag ndeshje. Muajin e ardhshëm, kemi një tjetër kampionat botëror, me pjesëmarrjen e sportistëve nga e gjithë bota, i cili do të zhvillohet në qytetin e Disney Park të njohur në botë, Orlando, këtu në Florida. Patjetër synoj të përsëris sërish suksesin titullin kampion
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Nëse do të riktheheshit në retrospektivën e viteve të fëmijërisë suaj si do i kujtonit ato?
Vjen një ditë dhe ti troket me mall në vitet e fëmijërisë. Kam qenë një fëmijë si thonë, nuk linja “dy gurë bashkë”. Me bashkëmoshatarët e mi, shkonim shumë orë në det, të cilin pothuajse ne në Sarandë e kemi te “pragu i derës”. Ndërkohë me vete merrja lapsa e fletë, ku shpesh herë, më lindte një motiv i ri frymëzimi për të bërë pikturë, peizazh apo portret. Këtë itinerar pothuajse e bëja për çdo ditë, ku pasioni për gjininë e pikturës rritej gjithmonë e më shpesh brenda meje. Kjo aventurë e bukur nuk zgjati shumë, pasi për arsye ekonomike, me familjen time shkuam në emigrim në Athinë, ku qëndruam afro gjashtë vjet. Gjatë këtyre viteve babai im punonte në një restorant të njohur, ku dhe mësoi të fshehtat e gatimit. Me kthimin tonë në Sarandë, ai hapi një restorant, i cili frekuentohet dhe sot nga shumë klientë. Me shumë dashuri iu riktheva detit dhe pikturës dhe më pas merresha me vrapime, dhe gjimnastikë.
KOHA: Ndërkohë ju ishit në sezonin e provimeve të maturës në shkollën e mesme të përgjithshme “Hasan Tasim”, ku më pas jeta juaj do të merrte tjetër kah, në një sport krejt i veçantë, i cili në Shqipëri nuk ishte aq i njohur. Si erdhi në jetën tuaj ky sport?
Sapo përfundova shkollën dhe do të nisja studimet në fakultetin ekonomik, dega menaxhim–biznes, duke mos harruar kurrsesi pikturën, një ditë në shtëpinë tonë,vjen me pushime një mik i familjes, i cili jeton në Londër. Çuditërisht ai më foli gjatë për vlerat e sportit Xhuxhicu, i cili në ato vite në Shqipëri njihej shumë pak. Në fillim nuk kisha interes dhe për faktin, që nisa punë në një sektor naftë-gaz, në Sarandë, pjesë e kompanisë së naftës në Shqipëri “Albpetrol”, me qendër në qytetin e Patosit. Edhe gjatë periudhës ku unë punova katër vjet me këtë kompani, miku i familjes sërish më fliste me pasion për këtë sport.
KOHA: Çfarë elementesh përmban në vetvete ky sport?
Ky sport për herë të parë ka lindur në Japoni. Në vitin 1920 disa profesorë japonez, emigrojnë në Brazil. Familja Gracie, në Brazil e përvetësoi këtë sport me disa ndryshime, çka bëri që më pas të krijoj Sportin Brazilian Xhuxhicu. Ideologjia e këtij sporti është që një person me trup të vogël, të mposht dikë me trup të madh dhe të fortë nga vetja e tij, nëpërmjet zotërimit mjeshtëror të teknikës. Ky sport që është midis xhudos dhe mundjes, si pjesë e Arteve Marciale, po bëhej përherë e më shumë i pranishëm në jetën time, falë sugjerimeve që më dha disa herë miku ynë i familjes. Kështu nisa ti përkushtohesha këtij sporti duke u stërvistur për çdo ditë.
KOHA: A mund të konsiderohet i rëndësishëm ky sport, aq sa mund të rrezikosh jetën tënde, për të mbrojtur dikë tjetër?
Patjetër. Madje në veçanti ndaj keqbërësve apo ndonjë krimineli. Në bazë teknikash që ti zotëron, arrin ta neutralizosh për pak minuta, ta mposhtësh, ta eliminosh, deri sa ai të vetë dorëzohet. Është në vetvete një Art Marcial, vetëmbrojtje tepër efikase, që mund të ndihmoj në çdo situatë, si dhe mund ti shkosh dikujt për ta ndihmuar.
KOHA: Prej pesë vjetësh jetoni në qytetin Boynton Beach këtu në Shtetin e Floridas ku jetoj dhe unë. Mendoni se tashmë jeni integruar plotësisht në jetën amerikane?
Ardhja ime me bashkim familjar bëri që unë të integrohesha disi më shpejt me punën, shkollën si dhe ti ushtrohesha stërvitjes të këtij sporti, i cili këtu është mjaftë i njohur. Njëkohësisht doja të përparoja praktikisht, duke studiuar në akademinë “Xcell Xhuxhicu”, në drejtimin e profesorit tepër të njohur, Xhorxh Santiago, i cili më qëndronte shpesh pranë, që nga fillimi me ushtrimet e para, deri në zotërimin profesionalisht të kohës se sotme. Është një njeri shumë i përgatitur. Jam mirënjohës që ai mbetet trajneri im kryesor.
KOHA: Kaq shumë e dashuroni këtë sport?
Që nga KOHA kur unë nisa studimet, deri më sot, pothuajse nuk kam ndërprerë për asnjë ditë punën time në restorant dhe procesin stërvitor.
KOHA: Mjaft sportistë në disiplina të ndryshme sportive, kanë trajnerin, fizioterapistin dhe dietologun e tyre. Po ju e ndjeni këtë prani?
Po. Janë të tre të pranishëm në çdo stërvitje dhe takime zyrtare. Ndjehem i kënaqur, pasi nëpërmjet punës së tyre, këmbënguljes time, kam arritur të marrë frutet e punës.
KOHA: Çfarë cilësi të veçanta, duhet të zotëroj një sportist si ju, për të qenë i suksesshëm?
Padyshim, regjimi i rreptë, ushqimi që të orienton dietologu, mos përdorimi i alkoolit, stërvitja dhe besimi, janë domosdoshmëri që të ofrojnë suksesin.
KOHA: Si keni arritur të diplomoheni në nivele të larta të këtij sporti, gjë të cilën jo të gjithë sportistët i arrijnë ato?
Puna, këmbëngulja, pasioni, të shtyjnë për të ecur përpara. Sporti Xhuxhicu, zotëron pesë nivele, të cilat mbartin vlerat e tyre sipas ngjyrave të brezave. Deri tani kam arritur të zotëroj tre breza, i bardh, blu dhe lejla. Ndërkohë më duhet ende të stërvitem për të zotëruar brezin kafe dhe brezin e zi, të cilët përbëjnë nivelet më të larta.
KOHA: A mund të ushtrohet ky sport nga çdo lloj moshe?
Pothuajse është shumë mirë për çdo lloj moshe, në veçanti në drejtim të përgatitjes fizike.
KOHA: Si i konsideroni marrëdhëniet që ekzistojnë midis teje dhe shokëve të grupit tuaj?
Është bukur, kur marrëdhëniet brenda një grupi ekzistojnë të shkëlqyera. Mes radhëve të grupit tonë që përbëhet prej dhjetë sportistë, ekzistojnë marrëdhënie të sinqerta, gjë e cila më ka ndihmuar jo pak, në pesëdhjetë ndeshjet e zhvilluara të deritanishme, kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtë e shoh tek mbështetja që shokët e mi, më japin sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjeve. Po kështu, ndonëse zbatojmë me shumë përpikmëri mënyrat e përdorimit të lëvizjeve, teknikën e këtij sporti, sërish kundërshtari duhet vlerësuar dhe respektuar. Mund të them që një pjesë e kundërshtarëve të mi, sot janë bërë miq të mi, shumica prej tyre, brazilian, dhe argjentinas.
KOHA: Në kampionatin botëror të Arteve Marciale, zhvilluar një muaj më parë, ju u vlerësuat me medaljen a Artë. Si u ndjetë kur në podin e kampionit u mbështollët me flamurin shqiptar kuq e zi?
Mendoj që kampionati botëror Xhuxhicu si pjesë e Arteve Marciale, ku unë u kurorëzova me titullin kampion bote, do të mbetet ndër më të bukurit në jetën time. Ishte një kampionat i sukseshëm, të cilin e fillova mbarë që në start në përballjen me kundërshtarin tim nga Meksika, të cilin e përfundova brënda një minute, nga gjashtë minuta që është KOHA e rregullt e ndeshjes. Me përballjet e tjera sërish ndjehesha optimist dhe besim në vetvete, pa harruar praninë në çdo moment të trajnerit tim të njohur, Xhorxh Santiago. Ndërkohë disa prej ndeshjeve i zhvillova këtu në Florida, në qytetin e magjishëm Orlando, duke arritur në finale. Kjo ndeshje u zhvillua përballe një kundërshtari të fortë amerikan, Karlos Morales i shtetit Uashington. Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë, sepse vija pas dëmtimit të një ndeshje të mëparshme. (Buzëqesh). I rëndësishëm është fakti që pas marrjeve të çmimeve të ndryshme të arritura më parë në shtetet Kanssas, Texsas, Alabama, Oklahoma, Kalifornia dhe Xhorxhia kam arritur që sot unë jam kampion bote. Gjithashtu nuk harroj kur në ekzekutimin e hymnit shqiptar, u mbështolla me flamurin tonë kuq e zi. Ky moment më lumturoi dhe emocioni.
KOHA: Kurorëzimi i titullit kampion bote, ka bërë që juve tju vijnë mesazhe urime nga shumë shtete dhe qindra shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Zvicra dhe nga shumë shtete këtu në Amerikë. Si i keni përjetuar ato?
Padyshim çdo rezultat i suksesshëm erdhi gradualisht, deri sa unë tashmë ndodhem këtu. Natyrisht kur rrethohesh me mbështetjen e publikut që të jep kurajo në çdo ndeshje, në mënyre të veçantë urimet gjatë kësaj periudhe, më bëjnë të ndjehem mjaftë mirë. Kurrsesi nuk e harroj mbështetjen e drejtuesve, shokëve të skuadrës, reagimet e mjaftë shqiptarëve nga shumë shtete. Pas çdo humbje apo fitore, kam patur mbështetjen e mjaftë shqiptarëve kudo që ata ndodhen në botë.
KOHA: Si ka qenë rruga juaj që keni përshkuar deri sa tashmë ndodheni në këtë lartësi?
Më është dashur të sakrifikoj shumë. Një start me momente të padëshiruara, në veçanti në sport, duke pësuar disa humbje , çka bëri që një ditë të vendosja për ta braktisur këtë sport që i isha përkushtuar disa vite rresht. Vërtetë është sport i vështirë, por shumë i bukur. Ky sport mund të konsiderohet si shahu i trupit, pasi më shumë bazohet në teknikë se sa në forcë.
KOHA: Në sfidat e ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, shohim se në kostumin tuaj të sportit, shfaqen iniciale dhe flamur shqiptar. Ju garoni si shqiptar apo…?
Ndonëse jam pjesë e një akademie të njohur amerikane, përherë jam paraqitur si shqiptar, duke përfaqësuar atë në çdo eveniment, në veçanti ato ndërkombëtare. Veshja ime sportive dhe flamuri shqiptar, janë identiteti më i mirë i imi. Ndjehem krenar që pas çdo ndeshje ku unë ngjitem në pod si kampion, ku valvit flamurin kuq e zi apo mbështillem me madhështinë e tij. Kuptohet për shumë sportist të botës kjo është një ëndërr, por jo të gjithë e kanë këtë privilegj.
KOHA: Si është një ditë për Enean?
Për çdo mëngjes herët e nis ditën me stërvitje në palestër, më pas shkoj në punë ku punoj herë kamarier, herë si kashier. Pas punës, shkoj në akademi ku i nënshtrohem një stërvitje intensive dy apo tre orë.
KOHA: Si është të jesh njeri publik?
Të njihesh si njeri publik, mendoj që së pari nuk duhet të priresh nga fama apo mendjemadhësia. Përkundrazi, vërtetë gëzohem kur njerëz të ndryshëm më përshëndesin si qytetar apo si sportist në rrugë dhe kudo. Padyshim mbetem mirënjohës, ndaj respektit të tyre.
KOHA: Jeta juaj është “përkundur”midis dy qyteteve të bukur, të admirueshëm për vizitorët dhe turistët, janë Saranda dhe Boynton Beach. Të dy këto qytete mbeten tepër të çmuar për ju. Përse?
Sarandën vendlindjen time, ku kalova vite të fëmijërisë dhe rinisë time, ku ende kam familjen time të çmuar, miq e shokë, mbetet çdo moment nostalgji brenda meje. Po kështu dhe qyteti Boynton Beach, ku jetoj prej katër vitesh, është bërë shumë i dashur për mua. Të dy kanë ngjashmëri, të dy me plazh dhe natyrë të mrekullueshme, madje dhe rrugicat dhe banorët bujar të veçantë. Ndonëse jam larg, Shqipërinë dhe Sarandën nuk i harroj kurrë. Sa herë valëvit flamurin shqiptar si fitues, më duket sikur jam atje. Ndoshta në një të ardhme të afërt të hap akademinë time sportive.
KOHA: Ndonëse kampionati më i rëndësishëm ai botëror tashmë ka mbyllur siparin e tij, ju sërish nuk jeni larguar asnjë ditë nga stërvitja?
Mendoj që çdo sportist i çfarëdo lloj sporti qoftë, kurrë nuk duhet ta nënvlerësoj stërvitjen. Ndonëse aktualisht jemi në periudhë pushimesh, sërish stërvitem si në çdo prag ndeshje. Muajin e ardhshëm, kemi një tjetër kampionat botëror, me pjesëmarrjen e sportistëve nga e gjithë bota, i cili do të zhvillohet në qytetin e Disney Park të njohur në botë, Orlando, këtu në Florida. Patjetër synoj të përsëris sërish suksesin,titullin kampion.
KOHA: Nëse do të donit të dërgonit një mesazh për shqiptarët kudo ndodhen, cili do të ishte ai?
Natyrisht me shumë mirënjohje, respekt doja të falënderoja të gjithë ata që më kanë mbështetur, uruar me fjalët e tyre frymëzuese. Në veçanti nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, Italia, dhe shumë shtete këtu në Amerikë. Kudo që ndodhen shqiptarë, lutem që Zoti ti bekoj.