Ëndrra europiane është e bukur, kur ajo pikturohet me ngjyrat e dëshirave tona të realizueshme. Të gjitha ngjyrat tjera, mund të sjellin vetëm zhgënjim, sidomos nëse fjalën e Europë e shqiptojmë si stacion të radhës për të shkarkuar mendësitë tona ballkanike
Nga Emin AZEMI
Nëse pas një viti fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, atëherë cila do të jetë dinamika e largimit të njerëzve nga vendlindja? Iu mbetet politikanëve të na thonë se nuk ia vlen të shkohet në Europë, kur atë e ke në shtëpi. Sa është me mend të marrësh gjithë atë udhë, kur komod mund të rrish në shtëpi dhe të shijosh të mirat që i sjell procesi eurointegrues. Kështu disi do të thoshin politikanët, por ata nuk marrin përgjegjësi nëse del ndryshe. Ata nuk morën edhe deri më tani kurrfarë përgjegjësie kur për një periudhë dhjetëvjeçare nga Maqedonia u larguan 30 mijë nxënës. Nëse këtë shifër e shumëzojmë me numrin e prindërve të tyre dhe me ndonjë foshnje, i bie që mbi 100 mijë veta për këto dhjetë vite kanë gjet perspektivë diku jashtë Maqedonisë. Me të njëjtat probleme ballafaqohen edhe Kosova e Shqipëria.
Ata që marrin vota, shohin vetëm privilegjet e të qenit i pushtetshëm, mirëpo këta 100 mijë veta që kanë braktisur vendlindjet e tyre, direkt apo indirekt, mund të përkthehen edhe si projeksione të politikave të gabuara sociale, ekonomike, shëndetësore, arsimore të këtyre personave të votuar, e që i bie se ata krejt pa vetëdije kanë bërë punën e ideologëve të spastrimeve etnike.
Një vend anëtar i BE-së i ka të gjitha gjasat të ndryshojë historinë e vet qindravjeçare, por kjo nuk ndodhë me automatizëm. Mjafton të merren si shembuj Rumania, Bullgaria, Qiproja e ndonjë vend tjetër për të kuptuar se përpos që ndodhi një dyndje masive e popullsisë së tyre drejt shteteve të zhvilluara europiane, mendësia e njerëzve mbeti po e njëjta dhe do të duhen edhe disa dekada investim jo vetëm ekonomik, por edhe kulturologjik e emancipues, në nivelizimin e mentaliteteve për një kohezion të brendshëm psiko-social. Me fjalë të tjera, favoret për të qenë pjesë e BE-së u kufizuan vetëm në marshin e të papunëve që përfundonte në vendpunishtet europiane , por jo edhe në ndryshimin radikal të klimës së biznesit, sepse të kamurit e Europës Lindore statusin e tyre e kishin krijuar si rezultat i të qenit pjesë e ish-nomenklaturës komuniste ose e privatizimeve kriminale siç ndodhi me rastin e Maqedonisë. Vetëm Sllovenia, e cila ishte e vetmja që në socializëm pat provuar trajtat e ekonomisë së tregut, nuk i mori me trauma pasojat e ndryshimeve euro-integruese. Të gjitha vendeve të tjera, iu deshën vite e dekada për t’iu adaptuar ritmeve që impononte ekonomia monetare e Eurozonës. Disa prej tyre, madje, si Greqia, Portugalia, Spanja, e ndonjë tjetër, në praktikë kanë dëshmuar se ende vuajnë pasojat e këtij mosadapatimi ekonomiko-financiar dhe kjo është arsyeja që ato edhe sot konsiderohen si barrë për ekonomitë më të mëdha, siç është Gjermania, pa ndihmën e së cilës, këto shtete që moti do të bankrotonin.
Politikanët liberalë kur flasin për tema sociale e ekonomike, gjejnë shumë arsye për të relativizuar mungesën e një programi të fuqishëm zhvillimor, kurse ata nga Ballkani, edhe pse nuk kanë shumë lidhje me doktrinat liberale të socialdemokracisë europiane, parapëlqejnë të na bindin se janë normale lëvizjet e popullsisë, sidomos kur ato bëhen si pasojë e “këmbimit të vlerave dhe kapitalit”. Në fakt, këtu nuk po ndodhë kurrfarë këmbimi, sepse lëvizjet po bëhen njëkahëshe dhe prej Europe nuk po rastis të na nderojë ndonjë ekspert për të shijuar nga afër efektet spektakulare të premtimeve të politikanëve për një ‘parajsë që do t’i ketë zili e gjithë Europa’. Përkundrazi, në praktikë po shijojmë krejt të kundërtën e asaj që po e thonë politikanët. Njerëzit me bileta njëdrejtimëshe, bashkë me fëmijët e tyre, po bëhen pjesë e shoqërive të tjera, ku vlera e punës është e barasvlershme me dinjitetin e të jetuarit.
Ëndrra europiane është e bukur, kur ajo pikturohet me ngjyrat e dëshirave tona të realizueshme. Të gjitha ngjyrat tjera, mund të sjellin vetëm zhgënjim, sidomos nëse fjalën e Europë e shqiptojmë si stacion të radhës për të shkarkuar mendësitë tona ballkanike. (koha.mk)