Ndodh të zgjohemi duke e ditur se kemi ëndërruar diçka interesante, por në mëngjes atë e kujtojmë vetëm copë-copë. Shkencëtarët besojnë se kanë gjetur se si të ndihmojnë që të mbahen mend ëndrrat.
Në artikullin e publikuar në revistën Perceptual and Motor Skills shpjegohet se ata që kishin marrë doza të mëdha të vitaminës B6 para se të shkonin për të fjetur i mbanin mend më mirë ëndrrat e tyre. Në studimin e Universitetit të Adelaides morën pjesë 100 persona. Gjysma e tyre para se të flinin i morën 240 mg të vitaminës B6 pesë ditë radhazi, ndërsa gjysma tjetër morën placebo në të njëjtën kohë. Asnjëri grup, natyrisht, nuk kishte njohuri se çfarë kishte marrë.
Pjesëmarrësit të cilët konsumuan vitamina më vonë raportuan se ëndrrat e tyre “ishin më të qarta dhe më të kujtueshme, dhe se kujtimi nuk ishte zbehur kur agoi dita”. “Vitamina B6 nuk ndikoi në bizaritetin, gjallërinë ose ngjyrën e ëndrrave, as nuk ndikoi në aspektet e tjera të shprehive të tyre të gjumit”, tha autori kryesor i studimit, psikologu Denholm Aspy.
“Bëhet fjalë për një model modest të pjesëmarrësve, por rezultatet tregojnë se grupi i cili kishte marrë vitaminë B6 i kujtoi më mirë ëndrrat se ata të cilët kishin marrë placebo”, shtoi Aspy. Personi mesatar i kalon gjashtë vjet të jetës duke ëndërruar, sipas Aspyt, që do të thotë se do të mundë t’i përdorim më me produktivtet nëse mësojmë t’i kontrollojmë.
“Ëndërrimi lucid, kur e dimë se ëndërrojmë gjatë gjumit, ka përfitime të shumta të mundshme. Për shembull, me ëndërrimin lucid mund të shërohen fobitë, t’i kapërceni makthet apo t’i zgjidhni problemet kreative”, tha Aspy, përcjell Koha.net. “Që të jemi në gjendje të ëndërrojmë në mënyrë lucide, më parë duhet t’i mbajmë në mend ëndrrat rregullisht. Kjo ndoshta mund të arrihet me sasitë më të mëdha të vitaminës B6 në ushqyerje”.
Kjo vitaminë nuk mungon në drithëra, bishtajore të ndryshme, banane, avokado, patate, spinaq, qumësht, vezë, djathë, mish të kuq dhe në peshk. Ëndrrat i kujtomë me vështirësi sepse proceset e trurit të cilat na mundësojnë të krijojmë kujtime afatgjata nuk janë aktive gjatë natës.