Një i ri nga India, i lindur me një anomali ka një ëndërr, ta jetojë jetën si gjithë njerëzit e tjerë. Për këtë ai ka përdorur mediat sociale, duke u bërë apel mjekëve që t’i mundësonin një operacion. Arun Kumar, 22 vjeç ka lindur me katër këmbë, dy normale dhe dy të tjera të pazhvilluara plotësisht, në pjesën e pasme.
Arun, i cili jeton në Uttar Pradesh të Indisë kërkoi ndihmë mjekësore përmes mediave sociale për të hequr këmbët e tij shtesë. Një ekip specialistësh në spitalin Fortis në Delhi i janë përgjigjur lutjes së të riut për ndihmë. Ata kanë realizuar një sërë analizash për të gjetur se si janë bashkangjitur këmbët dhe në qoftë se ai mund të trajtohet. “Nëse i nënshtrohem një operacioni dhe mjekët më heqin dy këmbët e mia të tepërta, unë mund të jetoj një jetë normale”, tha Arun. “Unë mund të jem në gjendje për të lëvizur dhe për të ecur si të gjithë njerëzit e tjerë. Nëse ata janë të gatshëm për të bërë një operacion, atëherë unë jam i gatshëm”, shtoi ai. Edhe pse ai nuk mund t’i lëvizë këmbët e tij shtesë, ato i rëndojnë në shpinë duke dëmtuar sjelljen e tij dhe aftësinë për të ecur. Nëna e tij tha se kishte patur dhimbje të shumta gjatë lindjes dhe të gjitha gjymtyrët e djalit kishin të njëjtën madhësi në fillim.
Mjekët nga spitale të ndryshme e kanë konsideruar ndërhyrjen tek Arun kur ishte fëmijë si tepër të rrezikshme. Por kirurgu Hermant Sharma, i cili shqyrtoi rastin e Arun kohët e fundit, i ka dhënë një shpresë familjes së 22-vjeçarit, pasi ka realizuar një sërë studimesh dhe analizash. Pritet vetëm që ëndrra që Arun kishte patur gjatë gjithë jetës, të bëhet realitet.