Ëndrra e Championsit të Atalantas që u shndërrua në makthin e Coronavirusit

16

Këtë javë, rrugët e qytetit të Bergamos duhej të gumëzhinin nga ngazëllimi, derisa skuadra e Atalantas të përgatitej për ndeshjen më të madhe në historinë e klubit – çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Në vend të kësaj, qyteti është tërësisht i heshtur, por me zhurmat e sirenave të ambulancave dhe kambanave të kishave që bien për viktimat e fundit të pandemisë së Coronavirusit, shkruan BBC.

Kanë kaluar gjashtë javë që nga gëzimi i madh i këtij qyteti pas fitores 4:1 të Atalantas ndaj Valencias në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, dhe që nga ajo kohë, Bergamo ka qenë në qendër të pandemisë globale. Mjerisht, tani mendohet se ajo lojë kontribuoi në shpërthimin e koronavirusit në të gjithë Italinë.

Atalanta, gjithashtu, edhe ndeshjen e kthimit ndaj Valencias – në duelin pa shikues në Spanjë – për të arritur në çerekfinale në sezonin e parë të pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, ndonëse kurrë nuk e mësuan kundërshtarin e ardhshëm, pasi para se të hidhej shorti futbolli në Evropë u pezullua.

Pavarësisht se është një ekip provincial dhe pa emra të mëdhenj, Atalanta është një klub që funksionon me një buxhet modest, duke u shndërruar në ekipin më emocionues të Evropës për t’u parë. Por, si vetë skuadra, edhe tifozët e Atalantas tani janë duke përdorur forcën e tyre kolektive për ta ndihmuar qytetin e Bergamos të gjejë një rrugëdalje nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

Arritja e Atalantas deri në Champions

Ndërsa Bergamo shtrihet nën hijen e Alpeve, Atalanta e kanë kaluar pjesën më të madhe të ekzistencës nën hijen e ekipeve të mëdha nga Serie A, Milan dhe Inter. “La Dea”, siç njihen gjithashtu, kanë fituar vetëm një trofe të madh dhe përfundimi më i mirë i tyre në Serie A ishte pozita e gjashtë – derisa Gian Piero Gasperini mori detyrën e trajnerit në vitin 2016.

Trajneri veteran e transformoi ekipin, duke përzierë të rinjtë e rritur te Atalanta me një kastë lojtarësh me përvojë dhe disa përforcime të paqarta. Edhe te Atalanta, Gasperini e përdori sistemin e lojës 3-4-3 që e kishte përdorur edhe te skuadra e Genoas përpara se të largohej. Është sistem argëtues dhe i rrezikshëm gjithashtu – por, përgjithësisht, ai ka funksionuar me Gasperinin.

Atalanta përfundoi e katërta në sezonin e parë të Gasperinit, e shtata në vitin 2018 dhe e treta në vitin e shkuar. Vitin e kaluar, Atalanta gjithashtu arriti edhe në finalen e Kupës së Italisë.

Nëse Gasperini është më i merituari, kapiteni shumëvjeçar i klubit, Papu Gomez është i preferuari i fansave. Të dy tani janë qytetarë nderi të Bergamos dhe paraqiten në një mural në qytet. Gomez 32-vjeçar i ka qëndruar besnik ekipit që nga viti 2014, kur u transferua nga Metalist Kharkivi.

I përulur dhe vetëmohues, ai tregon shpirtin e vërtetë të Atalantas së Gasperinit dhe kjo ka bërë që t’ua rrëmbejë zemrat e tifozëve pasionantë. Në fakt, Atalanta nuk është mbështetur kurrë në një apo dy lojtarë kryesorë. Ka pasur dhjetë golashënues të ndryshëm në Ligën e Kampionëve këtë edicion, më shumë se çdo skuadër tjetër.

Fillimi i aventurës në garën elitare të Evropës

Në gjysmën e fazës së grupeve, aventura e Atalantas dukej se kishte marrë fund në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, disi u rimëkëmbën për t’u bërë klubi i parë që arriti fazën e nokautit pas humbjeve në tri ndeshjet e para. Një fitore 3:0 në udhëtim ndaj Shakhtar Donetsk, rezultoi vendimtare. Dhe kur ekipi mbërriti në Bergamo në orën 02:00 të mëngjesit, rreth dy mijë tifozë e kishin sfiduar motin e ftohtë për ta mirëpritur në shtëpi.

Atalanta është dashur që ndeshjet si vendas në Ligën e Kampionëve t’i luajë në stadiumin “San Siro” të Milanos, pasi stadiumi i tyre nuk plotësonte kërkesat e UEFA-s. Në ndeshjet si vendas, Atalanta mesatarisht kishte rreth 17.600 shikues, por mbi 40 mijë – një e treta e popullsisë së qytetit – bënë udhëtimin prej 59 kilometrash nga Bergamo në Milano për ndeshjen e parë, duelin kundër Valencias më datën 19 shkurt. Rruga me makinë, që normalisht zgjat 40 minuta, atë ditë bënte tri orë.

Ndërkohë në Bergamo, një qytet ku çdo fëmije të porsalindur i dërgohet qumësht falas dhe një fanellë e Atalantas nga klubi, ata që nuk udhëtuan në Milano, u mblodhën nëpër shtëpi dhe bare për të parë ndeshjen më të madhe të “La Deas”.

Pas vetëm një ore lojë, rezultati ishte 4:0 në favor të Atalantas, kurse dy prej golave e mbanin firmën e holandezit Hans Hateboer, të transferuar në vitin 2016 për një milion euro. Si në tribunat e stadiumit “San Siro” ashtu edhe në shtëpi, tifozët e Atalantas përqafonin njëri-tjetrin pas çdo goli të shënuar. Ata ishin në një ëndërr që po bëhej realitet. Por, në fakt, askush nuk e dinte se çka po vinte pas këtij gëzimi dhe feste të madhe.

Comments are closed.