Mjafton të dëgjohet njëherë dhe vokali i tij nuk harrohet asnjëherë. Endrit Duraku është një nga emrat që ndez atmosferën si në koncerte, mbrëmje muzikore e ahengje familjare. Djaloshi nga Prishtina vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon për fillimet e tij, angazhimet e shumta që ka në muzikë, si dhe karrierën në përgjithësi. E lexojmë bashkë!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Muzikën e kemi trashëgimi, realisht gjithë familja merren me muzikë e sidomos nga ana e babit, prandaj mund të them se zë vend të veçantë në jetën time.
KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes?
Unë dëgjoj lloje të ndryshme të muzikës anipse vet këndoj muzikën popullore më shumë.
KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?
E vërtetë jam duke punuar në projekte të reja që së shpejti do të publikohen dhe publiku do ketë mundësi t’i shijojë.
KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë…Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku?
Publiku është pjesë shumë e veçantë në karrierën time, ata janë arsyeja që unë jam këtu dhe vazhdoj të ju dhuroj nga puna ime aq sa kam mundësi.
KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?
Që i vogël jam ulur afër babait, axhallarëve kur ata këndonin dhe i shijoja me kurreshtje e herë pas herë dhe i bashkangjitesha këngës bashkë, më hyri në zemër muzika dhe nuk zgjati shumë unë fillova karrierën time që nuk kam menduar për ndonjë profesion tjetër, jam munduar gjithmonë që publikut t’i fal anën time më të mirë.
KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?
Në kohën time të lirë zakonisht jam pranë familjes të cilët i dua pa masë, ata janë përkrahja ime më e madhe dhe e falënderoj Zotin që i kam.
KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?
Zakonisht jam një person i qetë dhe çdo problem mundohem të zgjedh në heshtje, çdo herë me pozitivitet dhe qetësi, nuk kam dëshirë që nga problemet dhe shqetësimet e mia të ndikohen të tjerët, thash edhe njëherë familja është e shenjtë për mua dhe ata kanë qëndruar afër meje në çdo hap të jetës.
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit?
E kam në qejf shumë kuzhinën zakonisht ushqimet modern ato i preferoj dhe i gatuaj me shumë qejf.
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Mos të jem modest, vendi më i bukur në botë për mua është aty ku janë familja ime.
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Gjatë sezonit të verës zakonisht nuk ka mundësi për pushim për shkak të angazhimeve të shumta në dasma dhe ahengje të ndryshme prandaj ka kaluar një kohë e gjatë kur kam shkuar në pushime.
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Askush në botë nuk është i pastër dhe perfekt, në këtë botë çkado që bën njerëzit do të gjykojnë ani pse vetëm Zoti është gjykuesi i vetëm por unë do të thosha ‘Duani më shumë e gjykoni më pak’.
KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?
Gjëja që dua nga profesioni im janë publiku, ata që më duan dhe më përkrahin e më bëjnë të ndihem mirë sa herë jam në mesin e tyre.
KOHA: I keni qejf fëmijët?
I kam shumë qejf fëmijët, eh kush nuk do donte një familje të madhe, uroj t’i kem me shëndet e të mira fëmijët, 1, 2, 3 nuk është me rëndësi numri.
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Prindërit e mi më kanë mësuar shumë gjëra në jetë, ata më kanë mësuar të dua veten në fillim, atëherë do të di saktë si të tjerët të më trajtojnë mua, më kanë mësuar të kem vetëbesim e respekt, shpresoj dhe ajo që dua është që ata të ndihen krenarë me mua.
KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?
E diela për familjen, familja çdoherë është ajo e cila mundohem të kaloj kohën më të madhe kuptohet edhe shoqërinë nuk e lë anësh.
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
‘The Alchemist’, edhe pse të them të drejtën nuk më premton koha të lexoj edhe aq shumë.
KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?
Gjithmonë në shoqëri dhe ambient të mirë është e qeshura dhe koha e çmuar.
KOHA: Kënga që këndon në dush?
(Qesh), zakonisht nuk këndoj në dush, por edhe nëse po, këndoj këngët e reja që jam duke i bë gati.