Ata kthehen me shumë pikëpyetje… Shumica e tyre duket se do të kalojnë nga një katarsis shpirtëror. Ku ishin, e ku përfunduan. Nëse sillen si të penduar është një dimension, dhe krejtësisht tjetër është nëse ata kanë mbetur të indoktrinuar në ideologjinë për të cilën ishin të gatshëm të flijohen me gjithë familjet e tyre…
Nga Daut DAUTI
Kanë nisur të kthehen, në grupe. Aq sa kanë mbetur. Kthehen kokulur, të thyer, të dërmuar…Kështu mund t’i përjetojmë ne në sytë tanë që do t’i shikojmë me habi duke kërkuar përgjigjet në shumë pyetje që edhe ata tash nuk i gjejnë dot. Ku ishin dje kur u nisën, dhe ku janë sot. Tash ata përbëjnë gërmadhë të një ëndrre që u doli një zhgjëndërr e lemerishme. Vetëm ata që vdiqën për atë ëndërr, kanë vdekur duke menduar se shkojnë drejt në parajsë. “Nga plumbi i dushmanit, shoh dritën e parajsës”, kështu shprehej një personazh nga ato videot e famshme të frikshme.
Kthimi i tyre tash nuk është sfidë veç për ta. Por dhe për ata që do të jetojnë në afërsi të tyre. Ikën me gra e me fëmijë që ta kërkojnë parajsën. Parajsën, atje ku shumëkush tjetër shihte ferrin që s’e shihnin ata. Në atë kohë…
Pikëpyetjet s’janë veç në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Bosnje, Sanxhak…prej nga shkuan qindra të tillë. Por, në gjithë botën një dilemë sfiduese: çka tash me ta? Pothuajse nuk ka legjislaturë të ndonjë vendi që nuk do të merret me ta nga këndvështrimi i shkeljes së ligjit. Ata janë potencialët që kanë shkelur ligjet dhe kanë kryer vepra të ndëshkueshme me ligjet e kësaj bote. Por, do të trajtohen edhe nga këndvështrimi i të penduarve. Shumica e tyre duket se do të kalojnë nga një katarsis shpirtëror. Ku ishin, e ku përfunduan. Vendet ku duhet të kthehen më me dëshirë do t’ua kishin mbyllur kufirin. Por, vendi ku ata shkuan dhe nisën ta realizojnë ëndrrën duke brohoritur emrin e Allahut duke u sulur përpara në beteja, të shpeshtën duke u përballur me myslimanë pak më ndryshe prej tyre, nuk ekziston më, ka dështuar si koncept, si qëllim, si ideal. Parajsa e tyre u shemb dhe nuk ka më kush t’i ruajë më, atje për ata nuk ka mbetur vend ku të gjejnë strehë. Do të ishte mirë që të gjithë për të gjithë ata të ekzistonte një pëllëmbë tokë, atje diku, por për fatin tyre të keq, edhe ato vende që u çrregulluan nga lidnja dhe shembja e krijesës së ideologjisë së tyre, do të donin të kthehen në normalitet, pa ta në gjirin e tyre si ardhacakë, gjersa kanë të vetët që s’dinë ç’t’u bëjnë. Dhe kështu, dilemat se çka të bëhet me ta pasi na i kanë kthyer, nuk janë një dilemë risocializimi pas konfliktesh “normale”. Asgjë normale s’mund të ketë, sepse me sytë tanë kemi parë sekuenca situatash që përcollën mediat se në ç’rrëmujë kanë marrë pjesë drejtpërdrejt. Dhe me thënë të drejtën, nuk e kemi aq hallin e tyre të risocializimit, sa hallin tonë. Sepse nëse sillen si të penduar është një dimension për t’iu ndihmuar të kthehen në realitet, nëpërmjet institucioneve përkatëse për risocializim, dhe krejtësisht tjetër është nëse ata kanë mbetur të indoktrinuar në ideologjinë për të cilën ishin të gatshëm të flijohen me gjithë familje. Çështja e besimit në një ide, në një ide që i beson verbërisht, është çka është…
Para disa vitesh na vinin edhe viktimat nga ato fronte irakiane e sirianë ku u shtri hovshëm shteti i idealizuar për të cilin shkuan të luftojnë. Kemi parë raste se familjet e tyre jo që nuk janë habitur, por kanë qenë krenare që kanë dhënë një “shehid“! Kemi dëguar për njerëz të cilët kanë lënë jetën me bollëk në perëndim dhe kanë shkuar atje. Kanë shkuar pas idesë së madhe, atë të parajsës që beson një mysliman. Nuk e le njeriu kot jetën me bollëk për ndonjë përfitim material, pos për atë që është hyjnore…Kështu janë bindur se atje fitohet parajsa. Atje duke vrarë dushmanë, por dhe myslimanë “jo të devotshëm” sipas tyre.
Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni ka pasur disa të dënuar që i kanë indoktrinuar të tjerët të marrin “rrugën e parajsës”. Dikush ka pranuar fajin, dikush me krenari ka pohuar se ka bërë gjënë e duhur. Ende janë në burgje, të cilëve me gjasë do t’u bashkëngjitet dikush nga këta të kthyerit, rast për t’u ballafaquar me ëndrrën e shembur. Nuk është për t’u besuar se të gjithë do të dalin të penduar, por një pjesë e tyre, sigurisht mund të kërkojnë llogari nga ata që i kanë bindur se atje është parajsa.
Para pak ditësh ndodhi një ngjarje tronditëse në Shri-Lankë ku nga shpërthimet e vetëvrasësve u vranë më shumë se 200 veta në disa kisha. Nuk vonoi shumë për të kuptuar se kush e mori përgjegjësinë. Ajo frymë për të cilën shkuan të luftojnë edhe këta të kthyerit tanë është gjallë… Ajo frymë, në formë besimi, koncepti, doktrine…jeton. Siç pak kohë më parë që në mënyrën më brutale u shpreh me 50 të vrarë myslimanë në Zelandën e Re, duke u falur në dy xhami, doktrina kundërshtuese që mund të ushqejnë njëra tjetrën. Të dyja këto raste më të fundit i dënoi e gjithë bota, sepse njerëzve nuk mund t’u hyjë në kokë se prej nga buron ky nënçmim i jetës së njeriut gjer në zhvlerësim total sa t’i japësh liri vetes për t’i marrë jetën dikujt, përderisa perëndia në çdo religjion dhënien dhe marrjen e jetës e ka ruajtur si të drejtë të vetën?!
Kur dëgjon besimtarët dhe imamët, të bindin në atë që edhe ata besojnë se feja është në thelb paqësore. Por si ndodh që dikush në emër të fesë të rekrutojë njerëz që janë të gatshëm të vetëflijohen duke u bërë vetë bombë e kurdisur me sahat, është për të të ardhur çudi. Edhe në kauzat më të drejta, siç është ajo palestineze, nuk është pa kontraversite çështja e sulmeve vetëvrasëse. Sepse Kur’ani famëlartë ndalon përdorimin e njeriut si armë. Shpesh kam shprehur publikisht dilemat rreth kësaj çështje por pak kush nga të thirrurit për t’i sqaruar këto ka marrë guximin ta shpjegojë këtë fenomen. Është i njohur qëndrimi i dijetarëve islamë, që janë në këtë vijë, me ndonjë përjashtim. Por fenomeni vazhdon dhe këtë e kemi të pranishme te këto lëvizjet radikale me ideologji islame dhe në traditën luftarake japoneze(më saktë, kamikazët e luftës së dytë botërore). Kur në shënjestër merren edhe vende myslimane si Arabia Saudite ose Turqia, se për disa të tjera sikur jemi mësuar, atëherë nuk ka vend dileme sa është e drejtë një kauzë e tillë që thirret në emër të doktrinës islame…
Më kujtohet një tubim aktivistësh nga shumë vende të botës mbajtur në Kluzh të Rumanisë para nja 15 vjetësh. Një nga pjesëmarrësit ishte një zonjë nga Egjipti, aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo në një rast, tek nisi të flasë për vetëvrasësit palestinezë, nuk u përmbajt, u shkreh në vaj. Tha se shumë prej këtyre kishte pasur rast t’i takojë. T’i takojë edhe prindërit e tyre që e miratonin këtë lloj flijimi. “Një luftë për kauzë të drejtë dhe me metoda krejtësisht të gabuara. Më kujtohen fytyrat e tyre të buzëqeshura të cilët ishin të bindur që kur do të fluturojnë në erë bashkë me dushmanët e popullit të tyre, do të fluturojnë si engjëj në qiell”, rrëfente ajo. Kjo zonjë thoshte se saherë që kujtonte fytyrat e atyre që i kishte njohur, ngashërehej në vaj, duke u ndjerë e pazonjë që t’i parandalonte, sepse pas një vendimi të tillë qëndronte një indoktrinim, një besim i pakufi për vendim të drejtë.
Duke u kthyer në realitetin tonë, duhet të kemi parasysh pikërisht këtë besim të verbët që dikush u është mbjellë në kokë disa besimtarëve të sinqertë. Dëshpërimi nga padrejtësitë që përjetojnë myslimanët është një reagim i natyrshëm solidariteti, por gjërat në praktikë janë më të ndërlikuara seç i paramendojnë.
Por, te kategoria për të cilën po flasim dhe po na trokasin në derë, mosrealizimi i ëndrrës së tyre është një traumë padyshim me gjithë atë që kanë parë e përjetuar. Sigurisht që kthjellja te një numër sish ka ndodhur që atje, kur janë ndeshur në situata që myslimani të luftojë me myslimanin, por ka qenë vonë më për të bërë ndonjë rikthim prapa. Dhe janë ndeshur edhe me barbaritë më primitive që s’kanë mundur t’i pengojnë në ato luftëra të pakuptimta. Të përjetosh shembjen e ëndrrës nuk është një gjendje e lehtë, sidomos kur tashmë me vete do t’i kenë marrë anëtarët e familjes. Sepse ashtu i kanë bindur, me idenë jetohet jo vetëm luftohet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)