Njerëzit të cilëve u pëlqen të ëndërrojnë dhe shpesh bredhin në botën e tyre imagjinative ndonjëherë hasin në mosaprovimin e atyre të cilët për vete thonë se qëndrojnë me të dy këmbët në tokë apo janë realistë. Megjithatë, në dobi të tyre shkon hulumtimi i fundit në të cilin shkencëtarët kanë vërtetuar se ëndërrimi është në fakt një gjë e mirë. Kjo mund të jetë një shenjë e inteligjencës dhe kreativitetit, transmeton Koha.net. Njerëzit truri i të cilëve e ka një kapacitet të madh thjesht nuk mund ta ndalojnë bredhjen e mendimeve të tyre. Studimi u krye nga ekspertë të Georgie Institute of Technology. Autorët prof. të psikologjisë Eric Schumacher dhe Christine Godwin me kolegët dhe studentët e tyre e vëzhguan aktivitetin e trurit në 100 të anketuar dhe atë me ndihmën e rezonancës magnetike. Ndërsa ishin të shtrirë, pjesëmarrësit duhej të përqendroheshin në pikën e palëvizshme në një periudhë 5 minutëshe.
Shkencëtarët i përdorën të dhënat që i morën për të parë se cilat pjesë të trurit punonin të sinkronizuara. “Fushat e lidhura në tru na kanë mundësuar të shohim se cilat pjesë funksionojnë së bashku gjatë gjendjes së zgjimit dhe pushimit”, tha Christine Godwin. Hulumtimi tregoi se modelet e njëjta të aktivitetit janë të lidhura me aftësi të ndryshme kognitive. Të anketuarit gjithashtu i plotësuan pyetësorët rreth asaj se sa shpesh ëndërrojnë në jetën e tyre. Ata të cilët ëndërruan më shpesh treguan aftësi më të madhe intelektuale dhe kreative dhe tek ata rezonanca magnetike mati efikasitet më të madh të trurit. Schumacher thekson se shumë njerëz mendojnë se ëndërrimi është diçka e keqe, sepse shumë njerëz përpiqen të qëndrojnë të përqendruar në detyrat e tyre, por kjo nuk u shkon për dore. Të dhënat e fituara nga shkencëtarët tregojnë se teoritë e tilla nuk janë të sakta. Disa njerëz thjesht e kanë një tru më efektiv. Sa më i lartë të jetë efikasiteti, aq më e madhe është aftësia e të menduarit prandaj mendimet mund të bredhin gjatë kryerjes së detyrave të thjeshta, përcjell Koha.net. Shumë nxënës e mësojnë mësimin brenda disa minutave prandaj mendimet e tyre bredhin ndërsa fëmijët e tjerë kanë nevojë për më shumë kohë. Si ta dini nëse truri juaj është efektiv? Nëse mund t’i lini mendimet e tuaja të bredhin gjatë bisedave ose detyrave dhe pastaj të ktheheni pa i humbur informacionet e rëndësishme.