Bujar Kurtaj
Shkup, 12 shkurt – Si fëmijë i kanë pëlqyer sportet luftarake me çka ëndërr e tij ka qenë që të bëhet një karateist i suksesshëm. Dhe pikërisht kjo ëndërr iu bë realitet në moshën shtatë vjeçare kur i ndikuar edhe nga familja e tij, filloi të merret me karate te Klubi i Karatesë “Uraniku”. nga Dibra. Fjala është për 18-vjeçarin Ardit Marku, njërin prej karateistëve më të talentuar në Maqedoni dhe shpresa e këtij sporti. Për gazetën KOHA, Arditi rrëfen hapat e parë me karatenë, sukseset e deritanishme, luftën më të mirë dhe synimet e tij për vitin 2018.
“Me sportin e karatesë kam filluar të merrem që nga viti 2007 nga mosha shtatë vjeçare, ku sot numërohen plot 11 vite që merrem me këtë sport. Fillimet e para ishin në vendlindje në qytetin e Dibrës në klubin e karatesë ‘Uraniku’ me në krye trajnerin Luan Gjergji dhe Durim Paçuku, ku edhe sot jam nxënës tyre dhe i po atij klubi. Në këtë klub gjeta një infrastrukturë sportive, e cila edhe sot është për tu admiruar, si nga përgatitja profesionale e trajnerëve poashtu edhe për nga mënyra e organizimit të klubit. Arsyeja pse fillova të merrem me këtë sport ka qenë sepse gjithmonë më kanë pëlqyer artet luftarake në përgjithësi dhe ëndërroja të arrij të bëhem një karateist i suksesshëm, ndërsa këtu ndikon edhe familja ku prindërit ishin iniciatorët e parë që më shtyn të merrem me këtë sport”, fillon rrëfimin e tij Marku.
Pjesëmarrja e parë në “Struga Open 2011”
Pasi bën hapat e parë dhe kalon një kohë e duhur, vjen dita që Arditi të merr pjesë në gara, derisa pjesëmarrja e tij e parë ka qenë turniri “Struga Open 2011” i cili tradicionalisht mbahet në Strugë, ndërsa nuk ka munguar suksesi, pasi ai fitoi medaljen e bronzit. “Pjesëmarrja ime e parë në gara ka qenë në vitin 2011 në qytetin e Strugës në ‘Struga Open 2011’ ku arrita te stolisem me medaljen e bronztë. Kjo ka qenë edhe shtysa ime e parë që në fakt më bëri që unë të mbetem në sport. Përderisa trajnerët gjatë gjithë kohës më kanë edukuar duke më thënë që talenti është brenda vetes tonë dhe që do të vijë momenti kur unë do të shpërthejë në rezultate pasi ti kemi kaluar disa filtra të cilët edhe do të jenë rrugë për rezultate botërore”, shtoi më tej 18-vjeçari.
Kampion i Maqedonisë në dy herë
Në fakt edhe ashtu doli, dhe talenti i Arditit pas këtij suksesi filloi të del në shesh, pasi ai në vitin 2015 dhe vitin e kaluar u shpall kampion i Maqedonisë. “Titullin kampion i Maqedonisë për radhë të parë e kam fituar me 22 nëntor të vitit 2015 në kategorinë e juniorëve deri ne 55kg dhe së dyti në vitin që lamë pas 19 nëntor në kategorinë e U21 deri ne 60kg në një konkurrencë shumë të fuqishme”.
Medalje të shumta edhe jashtë Maqedonisë
Derisa, pos dy titujve të kampionit, karateisti nga Dibra ka qenë pjesëmarrës në shumë gara jashtë Maqedonisë, ku nuk kanë munguar medaljet të ndryshme. “Kam qenë pjesëmarrës në shumë gara jashtë Maqedonisë nëpër kampionate të ndryshme ku kam arritur të fitoj medalje të ndryshme, por mund të veçoj garën në Tiranë ku arrita të shpallem kampion, por njëkohësisht edhe juniori më i suksesshëm i garës. Pastaj pasojnë, gara në Rjekë të Kroacisë, Kampionati Ballkanik në Kroaci dhe Premier Liga në Salzburg të Austrisë ku në një konkurrencë botërore arrita të bëj një paraqitje të mirë, por pa medalje. Kjo garë në fakt më dha një mësim dhe eksperiencë që të vazhdoj më lart”, nënvizoi më tej Marku.
Bronzi nga Kampionati Ballkanik më e veçanta
Nga gjithë këto medalje të fituara, Arditi veçon medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik, i cili u mbajt në Malin e Zi. “Mund ta veçoj luftën për medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik në Mal të zi me garuesin nga Romania ku arrita të fitoj me rezultat 6-0. Ishte domosdoshme fitorja nga ana ime që të siguroj pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Shkurt të këtij viti në Soçi, Russi”. Në fund Arditi i bën një rezyme vitit që e lamë pas dhe njëkohësisht i tregon synimet për vitin 2018. “Vitin 2017 e vlerësoj si vit shumë të suksesshëm me shumë rezultate nëpër arena të ndryshme. Këtë vit, pra në vitin 2018 synimi im është medalja në Kampionatin Evropian dhe në Premier Ligat që do marr pjesë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.