“Futbollin e kam në zemër dhe kam nisur të stërvitem që në moshë shumë të re. Dua të përmirësohem dhe në kokë kam të fiksuar një ditë të jem pjesë e ekipit të parë te KF Shkëndija”, shprehet talenti i madh tetovar, Dashmir Elezi.
Fisnik NUHIU
Shkup, 9 tetor – Aktualisht dy herë kampionë rresht me ekipin senior, të cilët 6 vitet e fundit luftojnë për tituj dhe ndërkohë regjistrojnë paraqitje pozitive në kupat e Europës ku tre herë rresht prekën plej-ofin e UEFA Europa League. Këto janë rezultate që shkruajnë faqe të reja në historinë e Shkëndijës së Tetovës, mirëpo kuqezinjtë tetovarë janë më shumë se kaq. Paralel me ekipin e parë Shkëndija tre herë me radhë është kampione me ekipin e juniorëve (U19), si gjeneratë para-hyrëse për në ekipin senior, por edhe disa tituj kampion me gjeneratat më të reja. Të jesh i pari nënkupton të kesh cilësi brenda grupit dhe fakti se kuqezinjtë dominojnë me më shumë gjenerata është tregues se në kategoritë e reja “defilojnë” yje të ardhshëm të futbollit. Shkëndija nga shkolla e saj gjithmonë ka nxjerrë futbollistë cilësorë dhe duke llogaritur sukseset e viteve të fundit edhe me moshat e reja, me shumë kureshtje pritet të shihet “zbulimi” i ri i tetovarëve. Dashmir Elezi është protagonisti që prezantojmë para opinionit. Djalosh i ri i lindur në vitin 2004 edhe pse vetëm 15 vjeçarë, me paraqitjet e deritanishme paralajmëron të rritet në “yll të ri” te Shkëndija. Bëhet fjalë për futbollist që luan në repartin e sulmit, shumë premtues, i fortë në duelet me kokë dhe i saktë me të dyja këmbët, golashënues i spikatur në ekipet e moshave si te klubi ashtu edhe ekipi përfaqësues, me një nuhatje të hatashme për të çuar topin në rrjetë. “Ëndrra ime është një ditë të luaj për ekipin e parë të Shkëndijës”, përgjigjet shkurtë dhe qartë Dashmir Elezi kurdo që të pyetet për të ardhmen e tij. “Futbollin e kam në zemër dhe kam nisur të stërvitem që në moshë shumë të re. Ushtroj me shumë pasion, dua të përmirësohem çdo ditë dhe në kokë kam të fiksuar një ditë të jem pjesë e ekipit të parë te klubi im”, shton “Dashi” (nofka me të cilën e thirrin shokët). Deri tani në skuadrat zinxhir të shkollës së futbollit ka shënuar shumë gola, në 4 ndeshjet e para të sezonit të ri ka shënuar 8 gola, sezonin e fundit e mbylli me 30 realizime, ndërsa vlen të përmendet sezoni i dy viteve më parë kur në 25 ndeshje Elezi realizoi 103 gola dhe 54 asiste. Duke e ndjekur se si luan, por edhe nga raportet e trajnerëve shihet se bëhet fjalë për “xhevahir” që premton të rritet në lojtarë shumë cilësorë. Përkushtimi i tij në seancat stërvitore dhe në ndeshje janë indikacion i qartë se kemi të bëjmë me një talent të madh, i cili ka të ardhme të ndritshme para vetes nëse vazhdon të zhvillohet me ritmin e deritashëm. “Unë nuk ngopem me futboll. Kënaqem të ushtroj dhe të shikoj shumë ndeshje qoftë në vendin tonë apo në televizor. Jam i vetëdijshëm se me moshën që kam duhet të kalojë edhe pak kohë për t’u përfshirë në ekipin e parë, por vendosshmëria për të realizuar ëndrrat më bën të punoj me përkushtim sikur do të ndodh nesër”, thotë Dashmiri.
Se te Shkëndija shihet me një sy tjetër, por edhe për performansat e tij në terren, flet fakti se me vetëm 15 vjet Elezi është përfshirë edhe në ndeshje të gjeneratës U19 të Shkëndijës ku gjithashtu është dalluar me performansë dhe gola. Paraqitjet e shkëlqyeshme në nivel klubesh e kanë bërë Elezin anëtar të rregullt të përfaqësueses U17 të Maqedonisë së Veriut. “Si çdo moshatar i imi edhe unë kam ëndrrat e mia. E thash më herët se synoj të luaj me ekipin e parë të Shkëndijës, pastaj të dal jashtë vendit në ndonjë prej ligave më të forta evropiane. Jam i bindur për të punuar shumë në drejtim të realizimit të objektivave”, shton Dashmir Elezi që nga klubet evropiane pëlqen Liverpulin, ndërsa Kristiano Ronaldo mbetet i preferuari i tij. “Liverpuli ka një stil shumë të veçantë të lojës dhe unë kënaqem me mënyrën e performansave të tyre. Për mua janë ekipi më histori të jashtëzakonshme, kanë tifozëri të paparë, ndërsa tanimë filozofia e tyre është mishëruar ne trajnerin Klop dhe rezultatet janë evidente. Ndërkohë lojtari që më frymëzon tej mase është Kristiano Ronaldo. Super futbollist që kalon çdo limit. Thjesht ta kesh për lakmi. Personalisht jo vetëm kur ka ndeshje, por shpesh shikoj video të tij edhe në “youtube” dhe kjo më motivon shumë për të vazhduar me punë edhe më të përkushtuar”, thotë Elezi. Dashmir Elezi i ri nuk përton të punojë, i dëgjueshëm për trajnerët dhe me një edukatë të theksuar mban nivel të kënaqshëm edhe në procesin arsimorë. Te Shkëndija kujdes të veçantë i kushtojnë shkollës së futbollit prej ku pretendojnë ta ushqejnë me lojtarë ekipin e parë dhe tani vëmendja mes tjerash shkon edhe për Dashmir Elezin që jep indikacione reale për t’u rritur në futbollist shumë cilësorë.