Ende nuk ka marrëveshje për formimin e qeverisë së re

50

Takim i djeshëm mes kreut të LSDM-së Zaev dhe kreut të BDI-së Ahmeti, në kuadër të negociatave për formimin e Qeverisë rezultoi pa marrëveshje. Ata për mediat deklaruan se kanë shumë pika të përbashkëta por kanë akoma shumë dallime për të cilat duhet të merren vesh. Detaje nga negociatat nuk bëhen të ditura,  megjithatë, siç theksuan, bisedimet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, ndërsa nëse ka vullnet do të arrihet epilog pozitiv.

Pas takimit të djeshëm me Ahmetin në Kuvend, Zaev theksoi se i vjen keq që menjëherë nuk mund të thotë se ka marrëveshje mes të dyja palëve.  Ai tha ka shumë hollësi për të cilat janë vlen të bisedohet.

“Logjikisht bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vijim dhe besoj se sapo të kemi çfarëdo lloj hapi të cilin do të mund ta ndajmë me qytetarët menjëherë do ta bëjmë këtë përmes mediave”, deklaroi Zaevi pas takimit me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, që u mbajt sot pasdite në Kuvend, si pjesë e bisedimeve për formimin e shumicës parlamentare.

“Taman puna të mbesim pa qeveri, jo nuk na duhet kjo. Zgjedhjet e reja nuk i zgjidhin problemet. Do t’i përsërisim rezultatet. Qeveri duhet të formohet. Duhet të formohet qeveri gjithsesi aty ku do të gjenden zgjidhjet për formimin e Qeverisë. Qëndrimi ynë, falë Zotit edhe i partive të tjera me cilat po bisedojmë është se tani nuk ka shkak që të mendohet për zgjedhje të parakohshme. NATO është punë e kryer, vendim për fillimin e bisedimeve kemi, konferenca ndërqeveritare po caktohet, po fillon hapja e kapitujve, do të duhet të punojmë por edhe të lëmë parashikim edhe për ekonominë, për qytetarët dhe për të gjithë”, deklaroi Zaev.

Ahmeti, megjithatë, pas takimit me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev në Kuvend tha se kanë biseduar rreth platformave që t’i përafrojnë qëndrimet, duke shtuar se do të varet nga vullneti i dy palëve që të arrihet epilog pozitiv në interes të shtetit.

“Unë nuk dua t’i ngarkojë bisedimet dhe nuk dua që ta them fjalën e fundit. Ne investojmë në çështjen e shqiptarëve, jemi në drejtim të mirë dhe jemi të gatshëm këtë ta bëjmë për shtetin pasi përfitim do të ketë stabiliteti i shtetit, afrimi i komuniteteve, duam dhe jemi të gatshëm këtë ta bëjmë për shtetin”, theksoi Ahmeti.

Rreth çështjes për kryeministër shqiptar e cila ka qenë premtim parazgjedhor nga BDI, Ahmeti ka vlerësuar se sa janë afër, aq janë edhe larg.

“Unë mendoj se sa jemi afër, aq jemi edhe larg, por të gjitha palët patjetër t’i kenë parasysh interesat madhore të shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Para se të mbahet takimi me Zaevin, Ahmeti dje bëri ftesë për takim të përbashkët të bllokut politik shqiptar, me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Zaev këtë e vlerësoi si presion ndaj tij, LSDM-së dhe Koalicionit “Mundemi” dhe porositi se një takim i tillë mund të kenë edhe përfaqësuesit e, siç tha qytetarët joshqiptarë. Nëse është shkas Marrëveshja e Ohrit, potencoi, atje duhet të jenë edhe LSDM-ja edhe VMRO-DPMNE-ja.

Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa gjatë ditës së djeshme  nuk kanë marrë vendim për ftesën e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, për mbajtjen e tryezës së përbashkët të liderëve të partive parlamentare shqiptare.

Siç njoftojnë për Alsat nga Aleanca për Shqiptarët, në takimin e djeshëm koordinues të dy partnerët të koalicionit kryesitë e partive kanë autorizuar Selën dhe Gashin për të sjellë vendim.

“Në takimin koordinues që e mbajtëm si koalicion, kryesia e ngushtë e Aleancës dhe e Alternativës autorizoi kryetarët Ziadin Sela dhe Afrim Gashi që në koordinime të vendosin për pjesëmarrjen eventuale si dhe formën e pjesëmarrjes në tryezën e partive politike shqiptare”, thonë për Alsat nga Aleanca për Shqiptarët.

Në zgjedhjet të cilat u mbajtën më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritjen e Maqedonisë”-44, BDI-15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa-12, E majta-dy dhe PDSH-ja 1.

Pas mbajtjes së seancës konstituive vijojnë afatet për formimin e qeverisë. Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i shtetit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit t’ia dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, në propozim të mandatarit dhe në bazë zë programit , e përzgjedh Kuvendin me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Në rast se brenda 20 ditëve mandatari nuk arrin të formojë shumicë parlamentare, atëherë sipas Kushtetutës mandati i ndahet partisë së dytë me numrin më të madh të deputetëve.

Comments are closed.